Banorët e Bërxullës u përplasen sot me policinë në protestën e radhës për kundërshtimin e kompensimit për pronat e tyre që preken nga projekti i rrugës Thumanë-Kashar. Banorët theksojnë se as vlerat qesharake të kompensimit nuk janë marrë prej tyre.
Ata kanë disa muaj që kundërshtojnë vlerën e kompensimeve duke e konsideruar këtë si grabitje të pronës së tyre private. Banorët paralajmëruan se do e përshkallëzojnë protestën e tyre deri në bllokimin e zyrave të Hipotekës.
“Do fillojmë me vetëgjyqësinë. Prona është e shenjtë. Nëse deri të martën nuk kemi zgjidhje do bëjmë vetëgjyqësi. Do detyrojmë punonjësit e Hipotekës të vihen në lëvizje me forcën tonë. Do t’i bllokojmë hipotekën zonjës Bici. Në rast se dje ishte tubim paqësor për t’i sensibilizuar këta pushtetarë, sot i kërkoj urgjentisht të marrë masa dhe të vërë në lëvizje stafin. Nuk na zë gjumi i natës për këtë problematikë, ata flenë gjumë. Boll më.”- u shpreh një nga banorët.
“Gjithë bota ka bërë autostrada, këta një rrugë, se paret nuk i kanë të vetat, janë të Evropës… Ore ka nevojë shteti? Hajde t’ia falim! Del kryeministri pa pikë turpi thotë do japë shtesa… po për mua që i kam dhënë 40 vjet punë? Jam i operuar, sa të mbaroj intervistën do iki për kimio. A mendon njeri për ne?! Është tallje e madhe, fyerje, e nxjerr popullin në rrugë për të kërkuar të drejtat e veta.” – tha një tjetër banor.