Banorët e zonës së Kodër-Babrrusë në Tiranë kanë dalë sot në protestë kundër kompanisë “KAYO”, e cila sipas tyre planifikon të ndërtojë një fabrikë municionesh pranë banesave të tyre. Ata shprehen të shqetësuar për sigurinë dhe kërkojnë që projekti të ndalet menjëherë.
Gjatë protestës, disa prej banorëve kërkuan ndërhyrjen e institucioneve shtetërore, përfshirë Policinë e Shtetit dhe drejtësinë, duke deklaruar se një fabrikë e tillë në vitin 2025 përbën rrezik serioz për komunitetin.
Një banor u bëri thirrje edhe përfaqësive ndërkombëtare: “I kërkojmë Ambasadës Amerikane të shqyrtojë këtë situatë. Ndërtimi i një fabrike ushtarake mes banesave nuk është i arsyeshëm.”
Të tjerë e cilësuan projektin si cenues të pronës së tyre, duke pretenduar se toka po u merret padrejtësisht dhe se rreziku i një incidenti të ngjashëm me Gërdecin është real: “Nuk mund të lejojmë që të përsëritet një histori e dhimbshme. Ka tunele dhe hapësira të tjera të përshtatshme, pse të ndërtohet mes një lagjeje?”.
Banorët paralajmërojnë se do të vazhdojnë protestat deri në pezullimin e plotë të projektit.

