Banorët e Mezhgoranit në Tepelenë po kundërshtojnë punimet për ndërtimin e një ujësjellësi në fshat që sipas tyre u rrëmben atyre të vetmin burim ujor në zonë. 

Ata u përballën me policinë, ndërkohë që pretendojnë se kryebashkiaku Tërmet Peçi së bashku me gazetarin Mero Baze planifikojnë ndërtimin e një resorti dhe burimi ujor i fshatit po vidhet pikërisht për t’u vënë ië funksion të këtij resorti. 

Banorët i janë drejtuar me një letër dhe kryeministrit Edi Rama.

I nderuar Kryeministër i Shqipërisë, Z. Edi Rama,

Po ju parashtroj një problematikë vërtet shqetësuese dhe me rëndësi të veçantë për të gjithë banorët e fshatit Mezhgoran të bashkisë Tepelenë.

Para zgjedhje të 25 prillit të vitit 2021 Bashkia Tepelenë na njoftoi se në fshatin tonë do të ndërtohej një ujësjellës. Ky lajm ishte i çuditshëm për ne sepse kemi shumë vite që e kemi rregullluar furnizimin me ujë dhe asnjëherë nuk ishte kërkuar prej nesh të ndërtohej diçka e tillë. Asokohe ne komunikuam me Bashkinë Tepelenë dhe shprehimisht u dakordësuam se ky projekt nuk do të ndërtohej.

Së fundmi, rreth 10 muaj më pas kësaj marrëveshjeje sërish jemi njoftuar nga Bashkia për ndërtimin e ujësjellësit në fjalë. Kjo situatë është vërtet një ndodhi e pazakontë dhe gati në kufijtë e qesharakes por neve na shqetëson së tepërmi sepse përfshin një aset jetik për komunitetin që jeton në këtë zonë.

Burimi i vetëm ujor nga ku fshati furnizohet, në të shkuarën ka qenë problematik dhe jo i qëndrueshëm duke shkaktuar vështirësi të vazhdueshme për neve si banorë, derisa arritëm ta stabilizojmë dhe ta kthejmë në një burim funksional. Duke ditur këtë fakt është shqetësuese çdo ndërhyrje që mund të ndërmerret sepse rrezikon të shterojë burimin e vetëm ujor që kemi.

Përpos kësaj, dëmtohet dhe buxheti i shtetit sepse fondi i projektit po shpenzohet në mënyrë të padobishme, sidomos nëse burimi shteron atëherë do duhet një fond tjetër për të riparuar dëmin e për të gjetur një zgjidhje.

Këmbëngulja kaq e madhe për të zbatuar këtë projekt absurd, si dhe mungesë e transparencës me të cilën po veprohet na bën të dyshojmë se ka palë të treta të përfshira që përfitojnë nga ky projekt, prandaj ju njoftojmë të merrni masat e nevojshme për zgjidhjen e kësaj çështjeje para se të jetë tepër vonë.

Kërkesa jonë e qartë drejtuar Bashkisë Tepelenë, për të cilën po ju vëmë në dijeni dhe juve, është që ky ujësjellës mos të ndërtohet.

Fondi i ujësjellësit fare mirë mund të përdoret për ndërtimin e rrugës të fshatit e cila është në gjendje të keqe dhe ndërtimi i saj ka qenë një nevojë e përhershme të cilën ja kemi komunikuar autoriteteve të shtetit sa herë kemi pasur mundësi.

Besimplotë në një përgjigjie pozitive,

Me respekt,

Banorët e fshatit Mezhgoran, Tepelenë.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *