Barazimi zhgënjyes 1-1 në transfertën me modestët e Letonisë mund të jetë përcaktues për fatet e grupit kualifikues, me Serbinë që mori tre pikët ndaj Andorrës dhe tashmë është vetëm një pikë pas Shqipërisë, me një ndeshje më pak të luajtur.
Futbollistët dhe trajneri u shprehën se rezultati në Riga ishte zhgënjyes, por gara për vendin e dytë në grup do të luhet deri në fund.
Edhe presidenti i FSHF-së, Armand Duka, në një reagim në rrjetet sociale shkroi se kombëtarja është ende në garë dhe se asgjë nuk ka përfunduar, pasi janë edhe shumë ndeshje për t’u luajtur.
“Ndeshja në Letoni nuk ishte ajo që do të donim të shihnim, apo rezultati që do të duhej të merrnim. Gabuam në disa raste dhe kundërshtari shfrytëzoi gabimet tona. Dalim me vetëm një pikë nga kjo ndeshje, ndërkohë që duhej t’i merrnim të tria.
Kemi zhvilluar gjysmën e ndeshjeve eliminatore dhe gjysma tjetër që ka mbetur na imponon të jemi me një mendësi dhe energji krejt të tjera.
Kuptoj dhe mirëkuptoj ndjeshmërinë e çdokujt për ekipin tonë kombëtar dhe mbarëvajtjen e tij.
Nuk arritëm të marrim fitoren, por gara vazhdon. Kemi ende edhe një gjysmë rruge përpara. Asgjë nuk është mbyllur dhe asgjë nuk ka përfunduar për asnjë nga rivalët tanë. Natyrisht, na duhet të rikthehemi në shtator më të kthjellët, më të uritur dhe më me grintë, për të marrë maksimalen dhe për të bërë rezultat e fitore edhe aty ku tani askush nuk mund ta mendojë.
Dhe për të arritur deri aty, stafi teknik duhet t’i nënshtrohet një analize bazike, siç edhe përherë bën, por që këtë herë kam bindjen se do të prodhojë një reagim të menjëhershëm.
Kemi luajtur 4 sfida, kemi edhe 4 të tjera. Njohim forcën e rivalëve, ashtu siç edhe ata njohin mirë peshën dhe rrezikun tonë. Do t’i luajmë deri në sekondën e fundit të gjitha shanset dhe mundësitë tona që ende i kemi në këmbët tona!
A mund të merrnim më shumë? Natyrisht po, por ky është futbolli!
A kemi gabime në lojë që kërkojnë të analizohen me qetësi dhe maturi? Patjetër. Si çdo ekip tjetër. Ne do të vazhdojmë fort dhe me besim garën tonë ende të hapur.
Sepse, ne jemi Shqipëria!
Do të provojmë dhe do të sakrifikojmë deri në pasin e fundit të mundësive që kemi!
Rikthehemi në shtator!” – shkroi Duka.