Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gamend Bardhi tha gjatë një interviste në RTSH se kreu i SPAK-ut, Altin Dumani i ka kthyer përgjigje lidhur me kërkesën e tij për të hetuar kryemonistrin Edi Rama për rastin e aferës së pretenduar me ish-zyrtarin e lartë të FBI-së, Charles McGonigal.
Bardhi theksoi se ka marrë përgjigje për kërkesën e tij, por refuzoi të jepte detaje duke shtuar se nuk mund të fliste publikisht për përmbajtjen e përgjigjes duke lënë të nënkuptohet se organi i akuzës mund të ketë nisur një hetim për rastin në fjalë.
“Në fakt kam një përgjigje. Pasi Mcgonigal ka pranuar fajësinë, unë i jam drejtuar me një memo drejtuesit të SPAK-ut. Kam marrë një përgjigje dhe dua ta përgëzoj drejtuesin e prokurorisë për përgjigjen korrekte që më ka kthyer. Për fatin tuaj të keq si gazetare, që do të donit lajm në këtë rast, në atë përgjigje më është vendosur detyrimi për të mos bërë publik informacionin që kam marrë nga SPAK-u. Dhe unë dua ta respektoj atë detyrim që më kanë vendosur në përcjelljen e informacionit mbi çështjen konkrete. Unë dua ta nxis SPAK-un të vazhdojë në rrugën që ka nisur. Kaq mund të them për këtë çështje. Nuk mund të konfirmoj asgjë tjetër, sa kohë më është vendosur një detyrim ligjor për të mos publikuar informacionin që në përputhje me ligjin, SPAK-u më ka përcjellë.” – tha Bardhi.