Lulzim Basha u zgjodh për herë të katërt si kryetar i Partisë Demokratike pasi mundi rivalin e tij Gjergj Hani me diferencë të thellë.
Basha mori 16 mijë vota, ndërkohë që në daljen e parë pas procesit theksoi se partia e drejtuar prej tij do të ringrihet sërish duke tejkaluar kohët e vështira.
“Jam i vetëdijshëm për kohën e vështirë që kemi kaluar dhe sfidat me të cilat përballet PD-ja, demokratët dhe opozita. E di se lumenjtë e mosbesimit rrjedhin akoma, ca të vërtetë, e dhimbshme siç është e vërteta e ca të sponsorizuar nga ata që duan me çdo kusht të ruajnë status quo-në.
Nuk ka për të qenë e lehtë, por nëse ka diçka që demokratët provuan sërish gjatë ditës së sotme, është që jemi në gjendje, jemi të aftë, jemi të përkushtuar dhe gati t’i përvishemi një tjetër beteje në dukje të pamundur, por asnjëherë të pafitueshme, ndaj le të nisim menjëherë punën për ta ndërtuar këtë urë shprese e besimi për qindra, mijëra shqiptarë!”- tha Basha.