Nga Enis Sulstarova
“Por jemi vllazën t’gjith more t’mjerë!” Vaso Pasha
Themelore për Rilindjen Kombëtare ishte krijimi dhe përhapja ndër shqiptarët e një përfytyrimi të kombit, që t’i përbashkonte ata përtej ndarjeve fetare dhe krahinore për të përballuar rrezikun që u vinte nga fqinjët, kur dukej se Perandoria Osmane nuk do ta kishte të gjatë jetën e saj në Ballkan. Një pjesë e mirë e teksteve propagandues të rilindësve në vitet 1878-1912 tyre kishin pak a shumë këto tema: shqiptarët kishin një prejardhje të njëjtë dhe kishin nxjerrë në të shkuarën heronj të lavdishëm; ata në kohën e tashme ishin të paditur për kombin, pra ishin të përçarë, të sunduar, rrjedhimisht të varfër. Prandaj ata duhet të “zgjoheshin”, të kujtonin se kush kishin qenë dikur (“Besën e t’parëve t’gjith e harroni”, thoshte Pashko Vasa) dhe të bashkoheshin e të “vëllazëroheshin” për të ndërtuar një të ardhme të përbashkët (“Të gjithë si vllazën n’nji besë shtërngoniu)”. Mjeti kryesor i propagandimit ishin tekstet në gjuhën shqipe, me anë të të cilave jepeshin njohuritë kryesore se kush ishin shqiptarët, heronjtë e tyre dhe se cilat ishin territoret shqiptare, si edhe interpretoheshin ngjarjet bashkëkohore nga këndvështrimi nacionalist shqiptar. P.sh. poema “Bagëti e bujqësi”, veç motiveve romantike ka edhe aspektin politik, sepse aty ndodhet edhe përkufizimi i atdheut të shqiptarëve, përmes fluturimit të dallëndyshes nëpër viset shqiptare nga Çamëria deri në Ulqin, i cili në atë kohë ishte bërë pjesë e Malit të Zi.
Rilindja përbën një shkëputje të madhe të historisë së deriatëhershme të shqiptarëve, sepse për herë të parë u artikulua kombi shqiptar si një bashkësi e përfytyruar që duhej të ishte baza e organizimit politik dhe shoqëror të shqiptarëve, si shqiptarë, pa marrë parasysh dallimet e tjera. Rilindja ishte çelja e mendimit shqiptar për çështjen dhe fatin e shqiptarëve si bashkësi. Këtë mendim, për nga masa e teksteve, intensiteti, shtrirja territoriale, publiku kryesor të cilit i drejtohej, diapazoni i temave dhe synimi politik nuk e gjejmë te autorët e mëparshëm shqiptarë që kanë shkruar për çështje shqiptare, si Barleti, Budi, Bogdani etj. Rilindja ishte lëvizja mendore që krijoi publiken shqiptare, një sferë të debatit për gjendjen dhe fatin e Shqipërisë ku merrnin pjesë veprimtarët shqiptarë, edhe pse gjeografikisht ata ishin të shpërndarë nëpër botë (Stamboll, Rumani, Egjipt, Amerikë, Itali etj.). Projekti i Rilindjes ishte që publikja shqiptare të institucionalizohet përmes shtetit shqiptar. Projekti i Rilindjes, e thënë shkurt, ishte që shqiptarët të kthehen nga objekt në subjekt të historisë, nga pësues të historisë (së Romës, Bizantit, Osmanëve) në bërës të historisë së tyre. Pavarësisht nëse shumica e shqiptarëve e kishin vetëdijen kombëtare ose jo, rëndësia e Rilindjes është se për herë të parë një lëvizje kulturore e politike e përfaqësoi kombi shqiptar si bashkësi.
Sot mund të themi se projekti i Rilindjes Kombëtare, në rastin më të mirë pati një sukses të pjesshëm: shqiptarët u njohën si komb, shteti shqiptar u krijua, por gjysma e shqiptarëve mbetën jashtë tij, duke iu nënshtruar masakrave, shpërnguljeve, asimilimit të detyruar dhe përndjekjes. Edhe pjesa më e madhe e atyre shqiptarëve brenda shtetit pati një përvojë shekullore të karakterizuar nga periudha anarkie, pushtimi të plotë apo të pjesshëm të huaj dhe në pjesën më të madhe të kohës nën sundimin autoritar të Zogut dhe nën atë totalitar të komunizmit. Në këto kushte, në mesin e shqiptarëve të Shqipërisë është ngritur pyetja se si duhet vlerësuar projekti i Rilindjes. Deri më sot ai është parë njëherazi si thelbësor, por edhe si i kapërcyer dhe historik. Thelbësore është quajtur ndjenja e përbashkësisë kombëtare që ngjallnin tekstet e Rilindjes dhe veprimtaria e rilindësve, formimi i gjuhës kombëtare, karakteri laik, fryma dijedashëse. Për këto ka ekzistuar një bashkëpëlqim pozitiv ndër elitat politike dhe kulturore të Shqipërisë, sepse mbi këto elemente të Rilindjes është ndërtuar identiteti shqiptar modern dhe janë legjitimuar sundimi politik e politikat e shtetit. Për sa i përket këtyre elementeve, Rilindja kurdoherë ka qenë dhe është bashkëkohëse. Në krahun tjetër, projekti rilindës për një shtet të kombit shqiptar që të shtrihet në të gjithë atdheun nuk u ndoq me konsekuencë nga Shqipëria dhe, si të thuash, projekti i komb-ndërtimit u përqendrua vetëm brenda shtetit shqiptar. Për pjesën më të madhe të shek. XX elitat politike të Shqipërisë e “harruan” që ata kanë “vëllezër” jashtë kufirit. Rilindja ua kujtonte këtë, prandaj elitat politike dhe intelektuale e kufizuan përdorimin e Rilindjes si një frymë modernizuese në shërbim të ndërtimit të shtetit. Madje edhe në këtë aspekt, ajo u shqiptua si e kapërcyer, duke u trajtuar më shumë si një frymë që përshtatej me kohën e vet, por jo jashtë saj. Në vitet midis dy luftërave botërore, disa intelektualë e quajtën të përfunduar çlirimin kombëtar dhe mendonin për çlirimin shoqëror e modernizimin e Shqipërisë. Po kështu në komunizëm, Rilindja u vlerësua dhe u studiua më shumë si periudhë historike dhe mitet e Rilindjes u përdorën për të çimentuar regjimin komunist, izolues dhe ksenofob. Propaganda komuniste shprehej se rilindësit kishin gjithsesi botëkuptim të kufizuar dhe jo klasor si “njeriu i ri” socialist. Idealet e Rilindjes shpalleshin si të plotësuara, madje të tejkaluara. Në tekstet shkollore të historisë të botuara gjatë komunizmit, trevat jashtë kufijve nuk trajtoheshin më pas vitit 1912, pra vitit që mbyllte periudhën e Rilindjes. Aludohej se shqiptarët përtej kufirit nuk jetonin në shoqëri të mirëfillta komuniste dhe për pasojë kishin një vetëdije më pak materialiste dhe më pak të zhvilluar se sa shqiptarët e Shqipërisë. “Vëllazëria” shqiptare u zëvendësua me vëllazërinë imagjinare të forcave botërore revolucionare. Vetëm për një gjë ishin të dobishëm shqiptarët e ish-Jugosllavisë: për të kërcënuar titistët në Beograd se në rast se e sulmonin Shqipërinë do të përballeshin edhe me shqiptarët e atij shteti, d.m.th. si mish për top për të mbrojtur regjimin e Tiranës.
Pas vitit 1990, në Shqipërinë e tranzicionit të gjatë dhe që duket se nuk ka mbarim, kemi ristudime të Rilindjes, kryesisht mbi përfshirjen e figurave që regjimi komunist i denigroi, në radhë të parë Gjergj Fishta dhe Faik Konica dhe zbulimin e anëve “të panjohura”, d.m.th. të patheksuara më parë, të veprës së rilindësve të tjerë, si p.sh. krijimtaria fetare e Naimit, ndihmesa e rëndësishme Samiut në kulturën osmane dhe turke, apo orientimi perëndimor i Rilindjes (për të cilin do të flasim më gjerësisht më poshtë). Për sa i përket vlerësimit të bashkëkohësisë së frymës së Rilindjes, për mendimin tonë, sot ka tre qëndrime nga intelektualët dhe opinionistët e mediave të Tiranës. Qëndrimi i parë është ai se fryma e Rilindjes është e kapërcyer për kohën tonë. Këtë e vërejmë te studimi i Artan Fugës, Shtigje drejt guvës së gjarprit (2001). Duke trajtuar rrënjët shqiptare të totalitarizmit komunist, ai thotë se filozofia e Rilindjes karakterizohet nga nënshtrimi i gjithçkaje ndaj idesë së kombit dhe kuptimi që ka Rilindja për kombin është homogjen, esencialist dhe idealist. Eshtë e vërtetë që Fuga më shumë merret me (keq)përdorimin e Rilindjes nga ana e regjimit komunist, se sa me filozofinë e Rilindjes per se, për të cilën ai mendon se ishte e dobishme për kohën e Rilindjes, mirëpo kuptohet lehtë aludimi se për një sistem demokratik dhe një botë globale, koncepti rilindas për kombin është i vjetruar dhe pa dobi. Këtë e thotë më hapur Ardian Vehbiu në artikullin “Përtej Rilindjes” (Shekulli, 12.02.2004). Sipas tij, në kohën tonë shqiptarizmi duhet riformuluar në një logjikë përfshirëse së brendshmi, si edhe komunikimi dhe bashkëjetese me popuj të tjerë, fqinjë e më të largët dhe për këtë gjë nuk vlejnë mitet dhe mendësia romantike e Rilindjes. Ndërsa bashkohemi me mendimin se vërtet shqiptarizmi duhet rishpikur, nuk pranojmë karikaturën e Rilindjes që bën Vehbiu, i cili në analizën e tij Rilindjen e njëson me mitet e prejardhjes dhe të racës dhe funksionin e saj e kufizon brenda Shqipërisë. Më poshtë paraqesim disa mendime se si shqiptarizmi sot mund dhe duhet të rishpiket e riformulohet në frymën e Rilindjes.
Qëndrimi i dytë midis intelektualëve të Tiranës është se Rilindja është bashkëkohore për të forcuar kulturorisht integrimin e shqiptarëve me Bashkimin Evropian (BE). Argumenti i tyre është se Rilindja ishte një lëvizje e orientuar për nga Evropa Perëndimore, sipas vargut të famshëm të Naimit “o dritë e bekuar që lind nga perëndon”. Më së shumti këtë qëndrim e ka shprehur Ismail Kadare dhe për këtë arsye e kanë quajtur rilindësin e ditëve tona, apo “rilindës modern”. Në pamje të parë nuk duket se ka ndonjë problem me këtë qëndrim, sepse fryma modernizuese dhe evropianizuese e Rilindjes është e dëshmuar, sikurse është e dëshmuar se shumica dërrmuese e shqiptarëve, në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni e dëshirojnë integrimin me BE-në. Sikurse është e dëshmuar se jemi të fundit në rajon në procesin real të integrimit! Këtu fillon problemi se ky qëndrim i disa intelektualëve të Tiranës është thellësisht orientalist, ngaqë fajtorë për dështimet e integrimit mban “shqiptarët orientalë”, “trashëgiminë osmane”, “Lindjen”, “neo-osmanizmin” etj., gjithmonë duke fetishizuar “Evropën” e “Perëndimin”. Le ta shikojmë më me hollësi se si përdoret Rilindja në orientalizmin shqiptar (“shqiptar” sepse një ligjërim të ngjashëm e ndeshim edhe në Kosovë, IRJM e në qendra të tjera kulturore shqiptare).
Për t’i shërbyer arritjes së mëvetësisë shqiptare, Rilindja Kombëtare krijoi ndarjen midis shqiptarëve të qytetëruar dhe evropianë dhe turqve barbarë dhe aziatikë. Ky dallim rimerret sot nga disa intelektualë që duan t’i provojnë kombit dhe mbarë botës se shqiptarët kanë qenë perëndimorë që nga lashtësia dhe se sundimi “oriental” osman nuk e ka prekur thelbin e shqiptarit, por vetëm e ka “ndotur” atë. Për Kadarenë, Rilindja nuk është thjesht orientim për nga Evropa Perëndimore, por “rikthim” te Perëndimi. Në këtë mënyrë, ajo konsiderohet dhe si një shkëputje edhe si një vazhdim. Rilindja konceptohet si një vazhdim i periudhës së Skënderbeut dhe si një shkëputje nga pothuaj gjysmë-mijëvjeçari sundimi osman. Me kohë në kulturën shqiptare ka zënë vend miti i periudhës së pushtimit osman si “kohë e rënies” për kombin shqiptar. Siç thotë Hysamedin Feraj te libri E pafilozofuara (2011): “Madje tani për çdo pyetje themelore dhe reflektuese të shqiptarëve, përgjigja është e gatshme: na e ka shkaktuar pushtimi i gjatë osman… Perandoria Osmane i ka liruar nga barra e rëndë e mendimit dhe veprimit reflektues duke ua lehtësuar maksimalisht përgjigjet për veten: gjithçka shpjegohet, legjitimohet dhe vijohet me pushtimin e gjatë osman!” (f. 10-11). Madje intelektualët orientalistë i bien kambanës së alarmit se e keqja e dikurshme osmane, sot po rikthehet si neo-osmanizëm turk.
Orientalizmi nuk kufizohet me turqit, por kthehet edhe ndaj vetë shqiptarëve. Epitete që Rilindja i përdorte për turqit, si “anadollak” dhe “turkoshak”, sot përdoren rëndom për të treguar shqiptarët që, sipas artikuluesit të radhës, kanë mendësi a shprehi të prapambetura, konservatore, ose që supozohet se tregojnë armiqësi ndaj Evropës dhe ndaj evropianizimit të Shqipërisë. Cilët janë shqiptarët e supozuar si “lindorë”, apo “orientalë”? Nëse në vitet e para të paskomunizmit mbizotëronte njësimi i Lindjes me komunizmin, më vonë intelektualët shqiptarë përvetësuan teoritë klasike evropiane mbi kundërshtinë dhe mospërputhjen midis krishterimit e islamit, ose variantin e përditësuar e laik të “përplasjes së qytetërimeve” të Samuel Hantingtonit. Madje ka pasur tentativa qysh në vitet e para të pluralizmit nga Kadareja, Pipa apo Ngjela për ta parë islamin si rrënjën e totalitarizmit komunist në Shqipëri. Kurse të krishterët shqiptarë, sidomos katolikët, trajtohen si shqiptarë “origjinalë”, “qëndrestarë” e lidhja e kombit me qytetërimin perëndimor. Për pasojë, shqiptarët orientalë kërkohen pikësëpari te shqiptarët myslimanë, sidomos te ata praktikantë. Këta të fundit dyshohen se nuk i përkasin modelit të shqiptarit laik e evropian që synonte Rilindja, sepse mund të shfaqin “nostalgji osmane”, mund të bëhen “dumbabistë” e “haxhiqamilistë” që i thonë “sikter” Evropës. Intelektualët tanë “rilindas” ia lejojnë vetes edhe të dyshojnë se “shqiptarët orientalë” nuk janë me gjak shqiptari, por në të vërtetë pasardhës biologjikë të kolonëve turq e të popujve të tjerë aziatikë që janë shqiptarizuar vetëm në sipërfaqe e që fshehin urrejtjen për Evropën dhe Shqipërinë evropiane.
Orientalizmi i brendshëm shqiptar përvijon një kufi fizik brenda hapësirës gjeografike shqiptare, midis shqiptarëve “perëndimorë” e atyre “lindorë”. Gjithnjë nënkuptohet se shqiptarët perëndimorë janë më të përparuarit, më modernët, më laikët dhe këta jetojnë në zona më të qytetëruara, ndërsa ata “lindorët” janë të tillë se jetojnë në zona të pazhvilluara, të izoluara, periferike dhe jo dhe aq urbane. Nga disa shkrime të intelektualëve dhe opinionistëve orientalistë del se ndarja përkon me atë midis shqiptarëve që jetojnë Republikës së Shqipërisë në njërin krah dhe shqiptarëve që jetojnë jashtë saj, kryesisht në Republikën e Kosovës dhe në Ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë, në krahun tjetër. Të dytët paraqiten si më primitivë, më fanatikë dhe më “orientalë”. Gjatë polemikës Kadare-Qose në vitin 2006, Maks Velo i quante shqiptarët e Shqipërisë të emancipuar e evropianë, ndërsa ata të Kosovës si primitivë që Shqipërisë veç telashe do t’i sjellin. Afërsisht në të njëjtën kohë, një tjetër publicist, Ardian Klosi e jepte shtrirjen gjeografike të “Shqipërisë Lindore” në trekëndëshin Prishtinë-Tetovë-Shkup. Sidomos trevat shqiptare të Maqedonisë paraqiten rëndom në shtypin e Tiranës si “Orienti shqiptar”, kryesisht për shkak të veshjeve, arkitekturës, përkushtimit fetar që i dallokan nga shqiptarët “modernë” të Shqipërisë. Një trajtim i tillë i shqiptarëve “orientalë” sado që të pretendojë se frymëzohet nga idetë e Rilindjes Kombëtare shkon në kahun e kundërt, sepse thekson ndarjet në vend të të përbashkëtave dhe paragjykon praktikantë myslimanë shqiptarë këtej e andej kufirit se ndjekin një projekt tjetër politik nga ai i integrimit evropian. Për ndonjë projekt të bashkimit shqiptar as që bëhet fjalë se mund të vijë nga publicistë si Maks Velo, Piro Misha dhe ndonjë tjetër, që më shumë shqetësohen për “kontaminimin” fetar që mund t’u vijë shqiptarëve “modernë” të Shqipërisë nga Kosova, sesa për përfytyrimin dhe ndërtimin e një “vëllazërie” shqiptare, siç kërkonte Vaso Pasha te poema e tij e famshme. Gjithashtu, theksimi i ndarjeve fetare sipas kriterit se cila fe na nxjerr më “evropianë” në sytë e Evropës, apo na ndihmon më shumë në integrimin evropian, edhe nëse mbështetet nga ndonjë citat i Konicës, është një strategji e huaj për ligjërimin dominues të Rilindjes, që u përpunua nga vëllezërit Frashëri, Jani Vreto, Pashko Vasës, Pandeli Sotiri, Gjerasim Qiriazi, Murat Toptanit etj. Ky e konsideronte tejet të rrezikshëm e përçarës dhënien e fizionomisë fetare identitetit dhe politikave kombëtare të shqiptarëve.
Qëndrimi i tretë ndaj Rilindjes Kombëtare është ai që e quan bashkëkohor projektin për “vëllazërinë” politike dhe ngulmon se çështja kombëtare është akoma e hapur dhe kërkon zgjidhje. Për arsyet që dihen, Rilindja ka qenë burim i fuqishëm frymëzimi për përpjekjen çlirimtare në trojet shqiptare në Jugosllavi. Në Shqipëri, për pjesën më të madhe të tranzicionit, çështja kombëtare është nuk është artikuluar në politikën qendrore dhe kur ka ndodhur diçka e tillë në shumicën e rasteve nuk kemi pasur të bëjmë me ndonjë projekt afatgjatë të institucionalizuar, por improvizime të çastit dhe në rastin më të keq, përdorim emocional deri butaforik të parullave rilindëse, madje të hartave të Shqipërisë Etnike, për krijuar iluzionin se X person ose forcë politike ka profil kombëtar. (Shumica e politikanëve në Shqipëri, kanë abuzuar me Rilindjes, por më shumë kanë abuzuar dhe po abuzojnë me fjalët “integrim”, “Evropë”, “demokraci”, “ekonomi tregu” etj. Serioziteti i tyre nuk duhet matur me fjalët dhe as me programet partiake e zgjedhore, por me rezultatet konkrete të politikave). Numërohen me gishta ata pak politikanë e intelektualë bashkëkohorë në Tiranë, midis të cilëve shquan Abdi Baleta, që e kanë vendosur veprimtarinë e tyre përherë në traditën e Rilindjes. Ata kanë dashur ta aktualizojnë “vëllazërinë” shqiptare të përfytyruar nga Rilindja, me qëllimin përfundimtar bashkimin e shqiptarëve në një shtet të vetëm.
Pa pretenduar për një shtjellim të temës, mendoj se të jesh rilindas sot nuk do të thotë patjetër që të besosh te të gjitha mitet e krijuara prej saj, por do të thotë që të përpiqesh për “vëllazërimin” shqiptar e të kërkosh, madje të shpikësh mënyra e mjete institucionale që kombi shqiptar, edhe pse i ndarë në disa shtete, të bashkëpunojë e të veprojë me të njëjtën frymë dhe që shqiptarët së bashku të përballojnë sfidat e kohës. Nuk ka pasur gjë më të huaj për Rilindjen Kombëtare se sa mosdija, prandaj shqiptarët sot duhet të nxënë dhe të përdorin dijet laike më bashkëkohore në të gjitha fushat e jetës, përfshirë edhe në historiografi, edhe nëse kjo do të thotë zhvlerësim i disa prej miteve të Rilindjes. Disa prej miteve të Rilindjes duhet t’i marrim ashtu si janë: mite që rilindësit i përdorën për “zgjimin” e shqiptarëve dhe krijimin e vetëdijes kombëtare dhe jo t’i trajtojmë si të vërteta absolute. Në krahun tjetër, kjo nuk do të thotë se kombi shqiptar, vetëdija shqiptare dhe çështja shqiptare sot nuk janë të vërtetë, mirëpo duhet riaktivizuar përfytyrimi kolektiv i një kombi të vetëm shqiptar në Ballkan i ndarë nga kufij të dhunshëm.
Në vitin 1946, Enver Hoxha deklaronte se Kosova duhej të mbetej në Jugosllavi, meqenëse ky shtet ishte më i zhvilluar dhe më i përparuar se sa Shqipëria. Prandaj, ai dhe komunistët shqiptarë angazhoheshin që shqiptarët e Kosovës të vëllazëroheshin me popujt e Jugosllavisë dhe që të luftonin të gjithë ata shqiptarë që mendonin ndryshe. Në vitin 2001, Paskal Milo si ministër i punëve të jashtme të Shqipërisë paraqiste argumentin se hendeku ekonomik, politik dhe kulturor midis Shqipërisë më të përparuar dhe shqiptarëve të Kosovës e Maqedonisë më të prapambetur nuk mund të mbushej brenda një kohe të shkurtër, prandaj bashkimi kombëtar ishte kundërproduktiv dhe duhej synuar vetëm integrimi në Evropën e Bashkuar. Edhe pse janë 55 vite larg njëra-tjetrës, të dyja deklaratat në thelb burojnë nga i njëjti qëndrim: se bashkimi shqiptar është i ndarë nga zhvillimi socio-ekonomik dhe se bashkimi i kombit nuk mund të ndodhë për sa kohë që shqiptarët nuk kanë hedhur prapa krahëve mjerimin e tyre. Kurse kumti i Rilindjes Kombëtare shkon krejt në kahun e kundërt: se shqiptarët duhet të bashkohen pikërisht për të kapërcyer mjerimin (“Por jemi vllazën t’gjith more t’mjerë!”) dhe se do të mbesin të mjerë për aq kohë sa janë të ndarë dhe veprojnë ndarazi nga njëri-tjetri për të zgjidhur problemet e tyre.
Çlirimi dhe krijimi i shtetit të Kosovës ka krijuar kushte të reja. Nuk mund të mbyllen sytë përpara këtij realiteti, shqiptarët e atjeshëm nuk mund të shihen më prej Tiranës si shqiptarët e tjerë, si teprica e atyre të Shqipërisë, si të prapambetur, si ata që nuk e flasin shqipen siç duhet dhe nuk janë tamam si ne, “shqiptarët e vërtetë”. Shteti i Kosovës dhe shumë organizata politike e shoqërore të shqiptarëve të Maqedonisë, Malit të Zi e Luginës së Preshevës, janë institucionalizime të vullneteve të shqiptarëve dhe kjo do të thotë se legjitimohen apo frymëzohen, edhe nga idetë e Rilindjes për identitetin kombëtar shqiptar. Kjo gjë ofron mundësi për ta çuar përpara projektin e “vëllazërimit” edhe në kushtet e ndarjes në disa shtete. Përshtatja e projektit të “vëllazërimit” sipas realiteteve në secilin shtet nuk do të thotë se kufijtë që na ndajnë pranohen si legjitimë, por vetëm se ata janë realë dhe se duhen marrë parasysh si pengesa për t’u kapërcyer. Kjo e bën çështjen kombëtare shqiptare policentrike dhe ajo që mund ta orientojë drejt atë është përfytyrimi i një kombi të vetëm shqiptar, përballë të cilit ndarjet shtetërore, politike, fetare, krahinore, partiake etj. edhe pse janë reale, duhen konsideruar të dorës së dytë. Në fund të fundit ky ishte edhe synimi madhor i Rilindjes Kombëtare. Përfytyrimi i një kombi të vetëm shqiptar ka nevojë që të materializohet përmes përfaqësimeve kulturore, shkencore, bashkëpunimeve të gjithanshme dhe lidhjeve institucionale shtetërore, të shoqërisë civile, të sipërmarrjes ekonomike deri te lidhjet individuale. Në Evropën e sotme jetojmë në epokën e integrimeve dhe integrimi brenda-shqiptar është detyra jonë. Siç thotë Ukshin Hoti, shqiptarët duke u bashkuar bëjnë detyrën e tyre ndaj integrimeve evropiane. Sigurisht që integrimet evropiane udhëhiqen nga vlerat e paqes, dialogut dhe demokracisë dhe ne, shqiptarët që besojmë te bashkëkohësia e Rilindjes, duhet të bëjmë çmos që të ndjekin mjetet paqësore dhe demokratike aty ku është e mundur për të bashkëpunuar e krijuar ura me njëri-tjetrin.
Gjithashtu, angazhimi rilindës sot do të thotë angazhim për publiken shqiptare dhe shtrirjen e saj përtej kufijve dhe paçka kufijve. Ngushtimi i sferës publike në këtë epokë të neoliberalizmit dhe privatizimeve korruptuese e pa vizion zhvillimor, është ngushtim dhe dobësim i përfytyrimit të kombit. Sa më shumë kufij dhe gardhe vëmë midis njëri-tjetrit në jetën e përditshme: midis të pasurve dhe të varfërve, midis votuesve dhe të votuarve, midis meshkujve dhe femrave, midis të krishterëve, myslimanëve, laikëve e ateistëve, midis qytetarëve dhe fshatarëve, midis “shqiptarëve”, “kosovarëve”, “maqedonasve” apo “çamëve” etj., aq më shumë kombi largohet si përjetim vetjak dhe i jetës së përditshme dhe aq më shumë ai kthehet në një formulë ceremoniale dhe parullë që ushton por që nuk ka përmbajtje. Ruajtja dhe zgjerimi i pandalshëm i publikes prej shqiptarëve, demokratizimi i pareshtur i jetës së tyre shkon në të njëjtin kah me përfytyrimin e një kombi shqiptar me vullnetin për të qenë i njësuar politikisht. Sigurisht që bashkëkohësia e Rilindjes, sipas qëndrimit të tretë, mbetet një sfidë. Përballimi i saj me sukses do të varet në një masë të madhe nga vetë shqiptarët në shekullin e ri.
Botuar në revistën “Shenja” (Shkup) dhe në gazetën “Përballja” (Prishtinë).