Bashkimi Evropian pritet të ashpërsojë mekanizmin e pezullimit të vizave, duke e bërë më të lehtë për Brukselin heqjen e regjimit pa viza për qytetarët e 61 vendeve që aktualisht e gëzojnë atë – përfshirë të gjitha vendet aspirante për anëtarësim në BE në Ballkanin Perëndimor, si dhe Gjeorgjinë, Moldavinë dhe Ukrainën.

Propozimi për të shtuar më shumë arsye në mesin e atyre ekzistuese për pezullimin e udhëtimit pa viza ishte iniciuar nga Komisioni Evropian në vitin 2023, dhe Këshilli i BE-së – që përfaqëson 27 vendet anëtare – e miratoi qëndrimin e tij një vit më pas. Për shkak të zgjedhjeve parlamentare evropiane në qershor të vitit 2024 dhe ngarkesës legjislative, Parlamenti Evropian vetëm së fundmi ka marrë mandatin për të negociuar.

Javën e kaluar u mbajt dialogu i parë ndërmjet tri institucioneve mbi legjislacionin e propozuar, me qëllim arritjen e një marrëveshjeje gjatë Presidencës polake të Këshillit të BE-së, e cila zgjat deri në fund të qershorit. Nëse gjithçka shkon sipas planit, ligji i ri pritet të hyjë në fuqi në fillim të vjeshtës.

Në thelb, blloku po bëhet më i ashpër ndaj liberalizimit të vizave, për të luftuar çdo formë të migracionit të paligjshëm në BE dhe për të përdorur potencialisht regjimin e vizave si mjet politik për të ushtruar presion mbi vendet e treta.

Liberalizimi i vizave – që përfshin të gjitha vendet anëtare të BE-së përveç Irlandës, si dhe vendet joanëtare Islanda, Lihtenshtajni, Norvegjia dhe Zvicra – u lejon shtetasve nga vende të treta të vizitojnë BE-në deri në 90 ditë brenda një periudhe prej 180 ditësh pa pasur nevojë për vizë. Kosova u përfshi në këtë listë në fillim të vitit 2024 dhe Gjeorgjia e Ukraina në vitin 2017.

Kërcënimi për të tërhequr këtë privilegj mund të shihet si një masë ndëshkuese. Mekanizmi aktual i pezullimit, në fuqi që nga viti 2018, mund të aktivizohet në rastet e abuzimit të qartë – për shembull, në rast të rritjes së numrit të qytetarëve që qëndrojnë më gjatë se limiti i lejuar apo që kërkojnë azil në BE përmes këtij sistemi.

Ka katër fusha kryesore të ndryshimeve që synojnë ta bëjnë këtë mekanizëm një mjet ndëshkimi më të besueshëm. Së pari, pezullimi mund të ndodhë nëse ka mospërputhje ndërmjet politikës së vizave të BE-së dhe vendit përkatës. Ky ishte rasti me Serbinë në vitin 2022, e cila lejoi udhëtim pa viza për shtetas të vendeve si Burundi, India dhe Kuba.

Së dyti, një arsye tjetër janë kërcënimet hibride, siç është rasti i akuzave ndaj Rusisë dhe Bjellorusisë për transportimin e migrantëve drejt kufijve të BE-së.

Së treti, nëse një vend aplikon një skemë të “shtetësisë për investitorë”, liberalizimi i vizave me BE-në mund të pezullohet.

Së katërti, dhe ndoshta më e rëndësishmja, është baza që lidhet me marrëdhëniet politike. Në rastet e shkeljeve të rënda të të drejtave të njeriut, të së drejtës ndërkombëtare apo mosrespektimit të vendimeve të gjykatave ndërkombëtare, mekanizmi i pezullimit mund të aktivizohet. Kjo kompetencë do t’i takojë Komisionit Evropian, por vendimi përfundimtar do të merret nga vendet anëtare me shumicë të kualifikuar.

Derisa BE-ja zakonisht është e kujdesshme për të mos ndëshkuar popullin për gabimet e qeverive, opsioni për të pezullohet i tërë liberalizimi mbetet gjithmonë në tavolinë./ Radio Evropa e Lirë

By Editor