Nga Arbër Zaimi

Presidenti i Serbisë në një intervistë televizive tha se tash që bota po e kupton se Rusia nuk mund të mposhtet në Ukrainë, Serbia duhet të durojë deri në zgjedhjet amerikane, ku sipas gjasave pritet të fitojë Trumpi. Ai gjithashtu tha se Serbia duhet të tregojë durim si Azerbaixhani, që priti thuajse 30 vjet, u armatos me armë moderne e të shtrenjta, dhe kur erdhi momenti i duhur, hyri në Karabak të Epërm dhe spastroi etnikisht armenët.

Nuk pati qortime nga mediatorët evropianë Borrell e Lajçak. As nga ambasadori amerikan Hill.

Çka i bie kjo?

Vuçiqi po e sheh si shans rindarjen e botës në kampe, pra përfundimin e unipolaritetit amerikan dhe lindjen e multipolaritetit.

Kufijtë e kampeve të reja kanë filluar të ripërcaktohen nga konflikte që karakterizohen prej indiferencës për të drejtën ndërkombëtare, sepse e drejta ndërkombëtare imponohet nga fuqitë e mëdha dhe atje në no man’s land, ku ende nuk janë përcaktuar zonat e interesit, nuk ka kush e imponon të drejtën.

Kufijtë, shpreson Vuçiqi, do të jenë të paqëndrueshëm për një farë kohe, deri sa të vendoset balanca e re e fuqive dhe interesave, që do të quhet si zakonisht “paqe”. E për sa kohë që do të jenë të paqëndrueshëm, ai shpreson ta kryejë deri në fund misionin monstruoz që barte dikur Millosheviqi.

Armatimi i rëndë i Serbisë me sisteme raketore kineze, tanke e aeroplanë rusë, dronë iranianë, por fatkeqësisht edhe me armë perëndimore, tregon se modelin nuk ka pasur nevojë ta kopjojë nga Azerbaixhani, sepse qysh përpara ka qenë duke punuar për të.

Basti alternativ i Vuçiqit është se një perëndim i udhëhequr nga e djathta ekstreme, do të lodhet prej shpenzimeve për paqe në Ballkan, dhe do të kërkojë një xhandar ballkanik, mundësisht racist e islamofob – e aty i vjen radha Vuçiqit për të bërë reconquista-n e vet.

Pritja dhe durimi i Vuçiqit e i shovinistëve të tjerë si puna e tij në Serbi, ngjan me pritjen e talebanëve, që me të ikur Amerika rikthyen terrorin mbi popujt e Afganistanit.

Mirëpo, fatmirësisht po punohet në rritjen e kapaciteteve mbrojtëse. Fatmirësisht jemi shtet e jo krahina. Fatmirësisht kemi e do të kemi mjaft shqiptarë që nuk dorëzohen.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *