Alesandro Bastoni është i bindur se Interi nuk do të përsërisë gabimet e finales së Ligës së Kampionëve të para dy viteve ndaj Mançester Sitit, e luajtur në Stamboll.
Qendërmbrojtësi zbuloi se kujtimet nga ajo humbje i shkaktojnë ende ankth dhe nuk ka pasur guximin të shohë asnjë pamje të asaj ndeshjeje që nga ajo kohë. Megjithatë, Bastoni beson se finalja e këtij sezoni ndaj PSG-së, që do të luhet në Mynih, do të ketë një tjetër përfundim.
“E përjetova shumë keq, tmerrësisht keq. Është e vështirë të flesh kur të kujtohen aksionet e ndeshjes. Nuk e di nëse do të kem sërish një shans për të luajtur një tjetër finale të Champions-it. Më mirë të humbnim 10-0 sesa në atë mënyrë. Nuk i kam parë më rastet e asaj ndeshjeje, sepse do të nervozohesha shumë. Më kap një trishtim i madh. Shpresoj që këtë herë të triumfojmë dhe gjithçka të shkojë ndryshe,” u shpreh Bastoni.