Bashkimi Evropian dhe vendet e Mercosur-it kanë finalizuar në Asunción të Paraguait një marrëveshje historike të tregtisë së lirë, pas 25 vitesh negociatash të vështira, të shoqëruara shpesh me bllokime. Marrëveshja krijon zonën më të madhe të tregtisë së lirë në nivel global, duke përfshirë rreth 750 milionë konsumatorë.
Sipas marrëveshjes, mbi 90 për qind e tarifave doganore mes dy blloqeve do të hiqen, çka pritet të rrisë ndjeshëm shkëmbimet tregtare dhe investimet mes Evropës dhe Amerikës së Jugut.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e cilësoi nënshkrimin si një mesazh të fuqishëm për komunitetin ndërkombëtar dhe si një vendim me vlerë afatgjatë për brezat e ardhshëm. Nga ana tjetër, liderë evropianë theksuan se, ndërsa disa vende po mbyllen dhe vendosin barriera tregtare, Evropa po zgjedh hapjen dhe bashkëpunimin.

