Bashkimi Evropian ka vendosur të heqë të gjitha masat ndëshkuese ndaj Kosovës deri në fund të muajit të ardhshëm, duke i hapur rrugë përfitimit të miliona eurove ndihmë financiare që nga fillimi i vitit 2026. Vendimi u konfirmua të mërkurën vonë nga zyrtarë të Bashkimit Evropian dhe të institucioneve të Kosovës.
Heqja e masave vjen pas kalimit paqësor të pushtetit lokal në komunat veriore të banuara me shumicë serbe, pikërisht në zonën ku tensionet kishin shtyrë BE-në të vendoste masa ndëshkuese ndaj Kosovës gjatë verës së vitit 2023.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ishte e para që njoftoi vendimin gjatë samitit të Bashkimit Evropian me vendet e Ballkanit Perëndimor, të mbajtur në Bruksel. Ajo bëri të ditur se një pjesë e masave po hiqet menjëherë, ndërsa pjesa e mbetur do të shfuqizohet deri në fund të janarit.
“Gjatë bisedimeve intensive me partnerët tanë u mor vendimi që të gjitha masat t’i hiqen Kosovës. Një pjesë e madhe po hiqet sot, ndërsa pjesa tjetër në fund të janarit”, deklaroi Osmani në një postim në Facebook. Ajo shtoi se, si rrjedhojë, fondet financiare do të zhbllokohen, me një pjesë të konsiderueshme që do të lëvrohet menjëherë dhe pjesa tjetër në fund të muajit të ardhshëm.
Ndërkohë, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, shkroi në platformën X se vendimi për heqjen e masave lidhet drejtpërdrejt me kalimin paqësor të pushtetit lokal në veri pas zgjedhjeve të fundit. “Falë kësaj, kam kënaqësinë të njoftoj se po ecim përpara me heqjen e masave ndaj Kosovës”, theksoi ajo.
Von der Leyen shtoi se Bashkimi Evropian po planifikon një paketë ndihme financiare prej 216 milionë eurosh për Kosovën, nga të cilat 205 milionë euro synohet të ndahen qysh në fillim të vitit 2026.
BE-ja kishte hequr gjysmën e masave që në fillim të kësaj jave, por mbetej e paqartë nëse ato do të shfuqizoheshin plotësisht, për shkak të rezervave të disa shteteve anëtare, përfshirë Francën dhe Italinë, të mbështetura nga Spanja, Hungaria dhe Sllovakia.
Zyrtarët kosovarë kanë kërkuar vazhdimisht heqjen e masave ndëshkuese, duke argumentuar se situata në veri është shtensionuar pas reduktimit të pranisë së Policisë në ndërtesat komunale, pjesëmarrjes së serbëve në zgjedhjet e këtij viti dhe kalimit paqësor të pushtetit tek përfaqësuesit lokalë serbë.
Sipas një analize të Institutit për Studime të Avancuara – GAP, masat ndëshkuese i kanë kushtuar Kosovës rreth 613.4 milionë euro në projekte të pezulluara ose të shtyra pa afat. Nga kjo shumë, 7.1 milionë euro janë humbur përfundimisht për shkak të kalimit të afateve.
Sektorët më të prekur kanë qenë mjedisi, me rreth 350 milionë euro, energjia me 114 milionë euro, digjitalizimi me afërsisht 57 milionë euro dhe kultura me rreth 15 milionë euro.

