Pavarësisht premtimeve të bëra muaj më parë se masat do të hiqeshin sapo të përmbyllej “transferimi normal i pushtetit lokal” në komunat veriore, Bashkimi Evropian nuk pritet t’i largojë sanksionet – të paktën jo para zgjedhjeve të 28 dhjetorit. Kështu bëjnë të ditur burime diplomatike në Bruksel, të cilat konfirmojnë se shtetet anëtare mbeten të ndara rreth këtij vendimi.
Sipas informatave të siguruara nga KOHA, Franca dhe Italia – të mbështetura nga Spanja, Hungaria dhe Sllovakia – janë pozicionuar kundër heqjes së sanksioneve ndaj Kosovës. Në anën tjetër, të paktën 13 shtete të BE-së kanë kërkuar heqjen e menjëhershme të tyre. Diplomatë të ndryshëm evropianë shprehen se Komisioni Evropian po “fsheh” vendimin duke iu referuar qëndrimeve të disa shteteve dhe “po luan lojë të dyfishtë”.
Edhe pse qysh pas betimit të kryetarëve të komunave në veri Kosova përmbushi kushtin e fundit teknik, BE-ja nuk ka dhënë përgjigje nëse kjo do të rezultojë në largimin e masave, siç ishte deklaruar më herët. Vendimi mbetet i bllokuar në diskutimet e ambasadorëve të vendeve anëtare.
Franca ka ngritur dyshime nëse palët kanë ndërmarrë hapa të mjaftueshëm për shmagien e përshkallëzimit të situatës në veri gjatë vitit 2025 – edhe pse sanksionet kanë prekur vetëm Kosovën, ndërsa Serbia nuk është përballur me masa, pavarësisht konstatimit të BE-së se largimi i serbëve nga institucionet ka qenë “shkelja më e rëndë e marrëveshjeve”.
Italia ndërkohë ka kërkuar që vendimi të shtyhet deri pas zgjedhjeve të dhjetorit, duke e parë si të domosdoshme qasjen “graduale” për çdo heqje të mundshme të masave.
Në favor të heqjes së sanksioneve janë angazhuar Gjermania, Sllovenia, Kroacia, Estonia, Luksemburgu, Belgjika, Holanda, Finlanda, Malta, Austria, Irlanda, Polonia dhe Suedia. Disa prej tyre e kanë cilësuar situatën “absurde” dhe kanë kërkuar që masa të tilla të mos përdoren më në të ardhmen.
Edhe Shërbimi i Veprimit të Jashtëm i BE-së (EEAS) është shprehur në favor të heqjes së masave, ndryshe nga Komisioni Evropian, i cili sipas burimeve nuk po tregon vullnet të plotë për t’i zhbllokuar ato. Diplomacisë evropiane i është vërejtur mungesë balance, pasi vendet që po këmbëngulin të mos hiqen masat ndaj Kosovës janë të njëjtat që po mbështesin hapjen e kapitujve të rinj të anëtarësimit për Serbinë.

