Korrupsioni i dyshuar në sektorin e digjitalizimit i ka hapur telashe të reja Shqipërisë edhe me Bashkimin Europian. Pas pezullimit të fondeve për fermerët, Brukseli ka vendosur të ngrijë edhe financimet për sektorin dixhital, një nga komponentët më të rëndësishëm të ndihmës europiane për vendin.

Burimet pohojnë se vendimi për ndërprerjen urgjente të financimeve të axhendës digjitale për Shqipërinë është marrë pas shpërthimit të aferës AKSHI. Sipas të njëjtave burime, Komisioni Europian ka njoftuar zyrtarisht qeverinë shqiptare për ngrirjen pa afat të këtyre fondeve, me argumentin e mbrojtjes së interesit të taksapaguesve të Bashkimit Europian.

Bashkimi Europian financon sektorin dixhital në Shqipëri përmes një sërë programesh në kuadër të Instrumentit të Asistencës së Paraanëtarësimit (IPA). Vetëm në verën e këtij viti, qeveria shqiptare miratoi marrëveshjen e financimit ndërmjet Republikës së Shqipërisë, e përfaqësuar nga Këshilli i Ministrave, dhe Komisionit Europian, për programin operacional shumëvjeçar për ekonominë dhe shoqërinë digjitale për periudhën 2024–2027.

Programi “Ekonomia dhe Shoqëria Digjitale” parashikonte një buxhet total prej 44 milionë eurosh, nga të cilat 30 milionë euro financoheshin nga Bashkimi Europian. Këto fonde tashmë janë ngrirë, duke vënë në pikëpyetje vijimin e projekteve të digjitalizimit dhe reformave të shpallura nga qeveria si prioritare.

Pezullimi i financimeve përbën një tjetër sinjal të fortë mosbesimi nga Brukseli ndaj mënyrës se si menaxhohen fondet publike në Shqipëri, ndërsa hetimet dhe pasojat e aferës AKSHI pritet të kenë ndikim afatgjatë në marrëdhëniet mes Tiranës dhe institucioneve europiane.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *