Bashkimi Evropian do të sjellë ndryshime të rëndësishme në mënyrën e udhëtimit për qytetarët jo-evropianë që vizitojnë Zonën Shengen. Më 12 tetor 2025 nis zyrtarisht Sistemi i Hyrje-Daljes (EES), i cili do të zëvendësojë vulat manuale në pasaporta me regjistrim dixhital dhe të dhëna biometrike.

Ky sistem do të aplikohet për shtetasit e vendeve të treta që hyjnë në Shengen për qëndrime afatshkurtra deri në 90 ditë, si turistë apo udhëtarë biznesi – përfshirë qytetarë nga SHBA, Britania e Madhe, Kanadaja dhe Australia. Përjashtohen shtetasit irlandezë, si edhe ata që kanë leje qëndrimi apo viza afatgjata në BE. Fëmijët nën 12 vjeç nuk do të japin shenja gishtash, por vetëm do të fotografohen.

Në praktikë, udhëtarët do të kalojnë përmes kioska ose sportelesh të posaçme, ku do të skanojnë pasaportën dhe do të japin të dhënat biometrike. Herën e parë procedura mund të zgjasë më shumë, por të dhënat do të ruhen për tre vjet, gjë që do ta shpejtojë procesin në udhëtimet e ardhshme.

EES do të zbatohet në 29 shtete, duke përfshirë të gjitha vendet e Zonës Shengen, si edhe Norvegjinë, Zvicrën, Islandën dhe Lihtenshtajnin. Zbatimi do të bëhet gradualisht deri më 10 prill 2026. Përmes këtij sistemi, autoritetet kufitare do të kontrollojnë automatikisht respektimin e rregullit 90-ditor dhe do të identifikojnë ata që e shkelin.

Ndërkohë, sistemi tjetër i planifikuar – ETIAS (Sistemi Evropian i Informacionit dhe Autorizimit të Udhëtimit) – është shtyrë për në fund të vitit 2026. Ai do të kërkojë që vizitorët nga vendet e përjashtuara nga viza të marrin autorizim përpara se të udhëtojnë drejt Zonës Shengen.

Me këto masa, BE synon të rrisë sigurinë kufitare dhe të modernizojë procesin e lëvizjes për udhëtarët ndërkombëtarë.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *