Nga Daut Dauti
Vizita joformale (private) e kryemistres së Italisë, Giorgia Melonit, në Shqipëri ka domethënie të madhe. Në shumë raste vizitat private të burrështetasve janë më të rëndësishme se ato zyrtare. Kjo për shkak se vendi që vizitohet është zgjedhje personale e pëlqyeshme kurse në vizita formale zyrtarët shkojnë edhe në vendet që nuk iu pëlqejnë.
Në Kosovë Italia nuk ka pothuaj asnjë rol apo domethënie, por për Shqipërinë ky shtet është shumë i rëndësishëm. Politika italiane në shumicën e rasteve e ka favorizuar Jugosllavinë (Serbinë) në relacion me Shqipërinë. Ta kujtojmë se në vitin 1999 Italia e mbronte Serbinë dhe ishte kundër bombardimeve të NATO-s derisa SHBA nuk ia tërhoqi vërejtjen politikës italiane.
Por, Meloni është duke bërë me dije se tashti është ndryshe dhe se Shqipëria në politikën italiane zë vend më të rëndësishëm se vendet tjera ballkanike. Meloni në fakt ka ndryshuar shumë nga momenti i ardhjes në pushtet, sidomos në politikën e jashtme. Në fushatën zgjedhore retorika e saj ka qenë e bazuar në rrënjë fashiste pasi që shprehej kundër emigrantëve, veçanërisht kundër atyre që vijnë nga Afrika, ishte anti islamike, anti LGBT, etj.
Por, me ardhjen në pushtet, Meloni nuk i ka zbatuar këto premtime me të cilat i përfitoi votuesit djathtist. Me politikën e saj pragmatike, sidomos në sferën e jashtme, Meloni është bërë befasi e madhe. Megjithatë, disa ende besojnë se ajo mund ta bëjë kthesën në drejtim të autoritarizmit ekstrem djathtist për t’i përmbushur premtimet.