Mediat në Gjermani raportojnë se Bajerni i Mynihut, në mënyrë të papritur ka vendosur të shkarkojë nga drejtimi i skuadrës teknikun, Julian Nagelsman.
Humbja e fundit në transfertën ndaj Leverkusenit duket se ka trazuar ambientin bavarez pasi vendi i dytë në renditjen e Bundesligës nuk po kapërdihet nga drejtuesit.
Bild raporton se Nagelsman ka pasur një debat me tone të ashpra me drejtorin sportiv të klubit, Hasan Salihamixhiç dhe palët janë ndarë përfundimisht.
Krahas rezultateve jo të mira në kampionat, raportet mes Nagelsmanit dhe drejtuesve bavarezë besohet të jenë thyer dhe nga një deklaratë e teknikut para pak ditësh i cili aludoi se në skuadër ka lojtarë që informojnë mediat për vendosjen taktike të ekipit para ndeshjeve zyrtare. Nagelsman i quajti minj ata që dekonspirojnë punën e tij në media.
Bajerni nuk ka vonuar për të gjetur zëvendësuesin e Nagelsmanit. Raportohet se stoli i rekordmenëve të futbollit gjerman do t’i besohet një emri të njohur si Tomas Tuheli.
Ish- tekniku i Mainzit, Dortmundit dhe kampioni i Europës me Çelsin, pritet të firmosë një kontratë 5 –vjeçare.
Dy vjet më parë, Bajerni pagoi 25 milionë euro te Laipcigu për të marrë Julian Nagelsmanin, ndërkohë që tekniku largohet në mënyrë të papritur dhe krejt të pazakontë për nivelet e tilla të futbollit.