Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka reaguar pas kërkesës së Partisë Demokratike për nisjen e procedurave parlamentare për shkarkimin e tij nga detyra, duke i cilësuar si “të pavërteta” akuzat që opozita ka renditur në dokumentin zyrtar të dorëzuar në Kuvend.

Në një deklaratë për mediat, Presidenca thekson se kreu i shtetit pret që Kuvendi të zhvillojë një hetim të plotë, profesional dhe transparent mbi pretendimet e ngritura, jo si një detyrim ndaj institucionit të Presidentit, por si një përgjegjësi ndaj të vërtetës dhe interesit publik.

“Grupi parlamentar i Partisë Demokratike ka promovuar sot nismën e tij duke publikuar pretendime rreth fakteve që nuk janë të vërteta. Presidenti i Republikës pret që Parlamenti të hetojë rreth tyre me profesionalizëm dhe transparencë të plotë. Kjo nuk duhet bërë si obligim ndaj postit të lartë të Kreut të Shtetit, por si detyrim ndaj të vërtetës dhe interesit të publikut,” thuhet në reagimin e Begajt.

Presidenti thekson gjithashtu se ka zgjedhur ta ushtrojë mandatin e tij “i pandikuar nga sulmet politike apo fabrikimi i të pavërtetave për konsum publik”, duke respektuar neutralitetin që i imponon funksioni kushtetues i kreut të shtetit.

Në deklaratë, Begaj nënvizon se procedura për shkarkimin e Presidentit është një instrument kushtetues që Parlamenti ka të drejtë ta përdorë, dhe se ai do t’i përgjigjet çdo kërkese me “seriozitet dhe ndershmëri”.

Partia Demokratike depozitoi sot në Kuvend kërkesën për shkarkimin e Presidentit Begaj, duke e akuzuar për shtatë shkelje të rënda të Kushtetutës. Sipas PD-së, ato përfshijnë dekretimin e zgjedhjeve të pjesshme në Tiranë, kërkesën e Presidentit në Gjykatën Kushtetuese për interpretimin e mandateve të anëtarëve të saj, dekretimin e ministrave dhe të ligjit për komisionet hetimore, si dhe akuza për përfshirje të trupës diplomatike në favor të një force politike.

Në dokumentin e PD-së përfshihen gjithashtu pretendime për konflikt interesi dhe favorizim ekonomik, përfshirë dyshimet se Begaj ka qenë i punësuar në një klinikë private dhe ka favorizuar një kompani sigurimesh që, sipas opozitës, ka punësuar fiktivisht djalin e tij.

Presidenti Begaj i ka mohuar kategorikisht këto akuza, duke i cilësuar si të pavërteta dhe të motivuara politikisht.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *