Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, është zyrtarisht nën akuzë nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) për veprën penale “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, parashikuar nga neni 258 i Kodit Penal.
Sipas njoftimit zyrtar të SPAK-ut, Balluku është thirrur këtë të premte në orën 15:00, ku iu komunikua zyrtarisht akuza, në prani të avokatit mbrojtës. Megjithatë, ndryshe nga raste të mëparshme ndaj zyrtarëve të tjerë, ndaj saj nuk është caktuar asnjë masë sigurie.
Balluku akuzohet lidhur me procedurat e prokurimit të zhvilluara në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë për projektin “Ndërtimi i tunelit të Llogarasë”, pjesë e seksionit rrugor Orikum–Himarë të aksit SH8 (Vlorë–Sarandë). Procedura e parë e këtij tenderi ishte zhvilluar më 11 dhjetor 2020, por pas anulimit të saj, ajo është rihapur më 22 qershor 2021 me një fond limit prej 18.967.810.952,08 lekë pa TVSH, rreth 19 miliardë lekë në total.
Në përfundim të hetimeve paraprake, SPAK i ka komunikuar zyrtarisht Ballukut akuzën për kryerjen e veprës penale “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 258/2 dhe 25 të Kodit Penal.

