Ministri izraelit për Sigurinë Kombëtare dhe një nga figurat më të njohura të së djathtës ekstreme, Itamar Ben-Gvir, ka vizituar sot aktivistët e flotiljes “Global Sumud”, të cilët u ndaluan nga autoritetet izraelite gjatë përpjekjes për të arritur në Rripin e Gazës.
Gjatë vizitës në burgun e sigurisë së lartë Ktziot, ku aktivistët po mbahen të ndaluar, Ben-Gvir i ka cilësuar ata si “terroristë” dhe ka deklaruar se “lojërat kanë mbaruar”. “Siç e premtova, anëtarët e flotiljes, mbështetës të terrorizmit, ndodhen tashmë në burgun e sigurisë maksimale,” ka thënë ministri në një deklaratë për mediat.
Flotilja “Global Sumud” kishte njoftuar nisjen e një misioni humanitar drejt Gazës, me qëllim dërgimin e ndihmave për civilët palestinezë, të cilët përballen me mungesa të rënda për shkak të bllokadës izraelite. Megjithatë, autoritetet izraelite e konsideruan misionin si shkelje të kufijve dhe mbështetje ndaj Hamasit, duke ndërhyrë për ndalimin e anijeve përpara se të arrinin në ujërat e Gazës.
Deklaratat e Ben-Gvir kanë nxitur kritika të ashpra nga grupet e të drejtave të njeriut dhe përfaqësues të shoqërisë civile ndërkombëtare, të cilët e akuzojnë qeverinë izraelite për trajtim arbitrar të aktivistëve dhe përpjekje për të kriminalizuar ndihmën humanitare.
Ndërkohë, autoritetet izraelite nuk kanë dhënë ende detaje mbi numrin e saktë të të ndaluarve dhe kohëzgjatjen e paraburgimit të tyre. Flotilja “Global Sumud” përfshinte aktivistë nga disa vende, të cilët kërkonin të sfidonin bllokadën shumëvjeçare të Gazës përmes një misioni simbolik paqësor.