Nuk pati befasi në ceremoninë e “Topit të Artë” për vitin 2022. Pritshmëritë u përmbushen dhe Karim Benzema me meritë fitoi trofeun më të rëndësishëm individual për futbollistë. Sulmuesi francez kurorëzoi një sezon të jashtëzakonshëm ku ai ishte protagonist absolut i sukseseve të Realit të Madridit në fitimin e Ligës së Kampioneve, titullit kampion në La Liga, Superkupës së Spanjës dhe Ligës së Kombeve me kombëtaren franceze. Kjo është arritja më kulminante në karrierën e sulmuesit i cili renditjen më të mirë në garën për këtë trofe e pati sezonin e kaluar ku doli i katërti. Çmimi për Benzema u dorëzua nga një legjendë e futbollit të luajtur dhe atij në pankinë si Zinedine Zidane. Benzema e mbylli sezonin në kuotën e 42 golave.
Lojtari i ri më i mirë u përzgjodh talenti i Barcelonës, Gavi. Portieri më i mirë rezultoi Tibor Kurtua i Realit të Madridit. Befasia e madhe ishte votimi i Mançester Sitit si klubi më i mirë, ndjekur nga Liverpul dhe Real Madrid. Lojtarët u panë të reagonin me habi dhe të qeshnin me njëri-tjetrin pas këtij vendimi, ku Reali i Madridit, dominues në çdo front e shihte veten të tretin
në renditje.
Dhjetëshja më e mirë e “Topit të Artë 2022”
- Karim Benzema
- Sadio Mane
- Kevin de Brojne
- Robert Levandosvki
- Muhamed Salah
- Kilian Mbape
- Tibor Kurtua
- Vinicius Xhunior
- Luka Modriç
- Erling Haland