Kapiteni i Kombëtares shqiptare, Berat Gjimshiti, është shfaqur si një nga emrat kryesorë në listën e dëshirave të Milanit për të përforcuar repartin e mbrojtjes gjatë merkatos së verës. Sipas burimeve të afërta me klubin, drejtori i ri sportiv i kuqezinjve, Igli Tara, e ka përfshirë qendërmbrojtësin e Atalantës në planet afatshkurtra të përforcimit të skuadrës.
Kontrata e Gjimshitit me Atalantën përfundon pas një viti dhe deri më tani nuk ka asnjë sinjal konkret për një rinovim, çka ka shtuar gjasat për një transferim të mundshëm këtë verë. Situata e kontratës e bën 31-vjeçarin një objektiv të arsyeshëm financiarisht për Milanin.
Aktualisht, mbrojtësi shqiptar përfiton rreth 1 milion euro në sezon në Bergamo, ndërsa në rast kalimi te Milani, paga e tij mund të rritet në intervalin prej 1.5 deri në 1.8 milionë euro në vit. Një investim i konsiderueshëm, por i përballueshëm për kuqezinjtë, të cilët kërkojnë përvojë dhe siguri në prapavijë.
Vlen të përmendet se edhe ish-trajneri i njohur, Maksimiljan Alegri, ka shprehur një opinion pozitiv për Gjimshitin, duke e cilësuar atë si një lojtar me cilësi të larta taktike dhe fizike, të përshtatshëm për kampionate elitare.
Për Milanin, afrimi i një lideri si Gjimshiti do të ishte një hap i rëndësishëm në drejtim të forcimit të skuadrës për sezonin e ri, ndërkohë që për vetë mbrojtësin do të përfaqësonte një tjetër kapërcim cilësor në karrierën e tij pas sukseseve të mëdha me Atalantën.