Nga Lezha, duke rikujtuar betejat e opozitës për mbijetesë politike, Sali Berisha deklaroi se kryeministri Edi Rama ka tentuar ta shkatërrojë Partinë Demokratike nga brenda, duke u mbështetur, sipas tij, te ish-kreu i PD-së, Lulzim Basha, i zgjedhur pas tërheqjes së Berishës nga politika.

Berisha akuzoi Bashën për tradhti ndaj demokratëve, duke thënë se ai ditën shfaqej në krah të tyre, ndërsa natën, sipas tij, bashkëpunonte me Edi Ramën për pazare dhe interesa të përbashkëta.

“Na menduan të shuar nga harta politike, por u ngritëm si Feniksi nga hiri. Këto vite, demokratët kaluan një periudhë të pamerituar, por treguan dinjitet dhe guxim. Një kalbësirë e brendshme e kapi PD-në: një kryetar që ju i besuat, ditën ishte me ju, natën me Edi Ramën, duke ndarë paratë dhe pazaret. Punonte kundër jush dhe kundër idealeve tuaja”, u shpreh Berisha.

Ai e cilësoi Edi Ramën si armik të pluralizmit dhe theksoi se përpjekja për rrënimin e PD-së u bë duke shfrytëzuar dobësitë e brendshme të saj. Sipas Berishës, vendimi më i rëndësishëm dhe më i vështirë për demokratët ishte mbështetja ndaj tij në vjeshtën e vitit 2021, duke kaluar nga një opozitë formale në një opozitë reale.

Berisha u shpreh se beteja e demokratëve nuk ishte vetëm me qeverinë shqiptare dhe mbështetësit e saj brenda PD-së, por edhe një përballje më e gjerë ndërkombëtare. Ai përmendi George Soros si kundërshtar të vlerave demokratike dhe të Partisë Demokratike.

“Ju zgjodhët idealet, dinjitetin, interesin kombëtar, vokacionin perëndimor dhe sovranitetin e vendit. Besuan se na varrosën me izolimin, por sot jemi këtu, me shtatë rezoluta në mbështetjen tonë, sepse qëndruam”, përfundoi Berisha.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *