Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka ashpërsuar akuzat ndaj shumicës socialiste gjatë fjalës së tij në Kuvend, duke e quajtur PS-në “të keqen banale të kombit” në lidhje me procesin e zgjedhjes së Avokatit të ri të Popullit.

Berisha theksoi se PD-ja është tërhequr nga firmat e depozituara, duke respektuar vendimin e Komisionit të Ligjeve, i cili parashikon se çdo deputet mund të firmosë vetëm një kandidat për këtë post. Ai akuzoi PS-në se po tenton të manipullojë procesin për të “grabisur” institucionin e Avokatit të Popullit.

“Ky parlament ka një Komision Ligjesh që merr vendime sipas ligjit dhe Kushtetutës. Për kandidatët për Avokat të Popullit, deputeti ka të drejtë firmosë vetëm një herë. Ne e respektuam këtë vendim dhe tërhoqëm të gjitha firmat. Por ju po përmbysni rregullat, vetëm që të kapni Avokatin e Popullit,” deklaroi Berisha.

Ai shtoi se mazhoranca po ndërmerr hapa të dëmshëm për integritetin institucional: “Ju e dini se lepuri i Surrelit nuk i qëndron dot një dite. Kapërceni çdo normë, bëni këtë kukumalin dhe organizoni një akt të turpshëm,” u shpreh ai.

Berisha e cilësoi qëndrimin e PD-së si “të drejtë dhe lojal ndaj ligjit”, ndërsa akuzoi PS-në për manipulim të procesit dhe shkelje të vendimeve të Komisionit të Ligjeve.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *