Sali Berisha u paraqit në Prokurorinë e Posaçme në zbatim të masës ndaj tij, ndërsa pas daljes nga godina lëshoi akuza të forta.
Sipas tij, prokurorët kanë prova për përfshirjen e Taulant Ballës në biseda me grupe kriminale, por ai mbrohet nga 6 prokurorë, të cilët janë nën ndikimin e Edi Ramës.
Sipas Berishës, postin e ministrit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Balla e mban vetëm sa për imunitet ndaj çdo hetimi të mundshëm.
“Në këtë prokurori janë 6 prokurorë që kanë ardhur nga bandat e Taulant Ballës.
Ndër ta, famëkeqi Shehaj, që për mashtrim publik duhej të ishte në burg.
Enkelejda Fetahu, që simotrën e vet, Pajtime, e ekskulptoi, në një kohë kur ajo ishte, siç e dini vetë, një mafioze e papërmbajtur. Ç’t’i thuash asaj…
Pra, në dijeninë time, pas Edi Ramës, Taulant Balla është personi me pushtet që del më shumë se të gjithë të tjerët në veprimtari kriminale me bandat.
Del i regjistruar në lirimin e dy vrasësve – kjo është e tmerrshme – të cilët i vendosën tritolin nën shalën e biçikletës Lulzim Kullës për ta hedhur në erë…

Dhe ata janë të lirë me Vath Stakën.
Vath Staka është një kriminel në KLP.
A mundet shteti të jetë ky?
Narkoshteti, natyrisht që është ky…
Së dyti, del para nesh të gjithëve, kur shkoi dhe kapi sadistin e Rrahman Rrajës, që e kishte djegur me cigare vajzën, dhe e nxori nga komisariati për ta çuar në shtëpi.
Kjo është e vërtetë. Nuk është mohuar.
Del me dhjetëra regjistrime te banda e tij dhe banda të tjera.
Unë nuk po përsëris këtu akuzat që i kam bërë Taulant Ballës, se kalonte drogë me pasaportë diplomatike para shumë vitesh në doganën e Qafë Thanës.
Me një fjalë, ka me dhjetëra raste, por unë po nxjerr këtu vetëm ato dokumente që janë në duart e drejtësisë, dhe drejtësia nuk vepron.
Dhe ai qarkullon si ministër.
A ka gjë më të shëmtuar se kjo?
Absolutisht nuk do të kursej askënd, por deri tani, të jem i sinqertë, nuk kam asnjë ministër tjetër që del sa ky.
Ky del kudo.
Po të dalin të tjerë, unë jam i gatshëm” – tha Berisha.