Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, tha sot se të premten do të paraqitet në Prokurorinë e Posaçme (SPAK), në kuadër të hetimeve për ngjarjet e 21 janarit 2011, ku katër protestues humbën jetën përpara Kryeministrisë.

Pas mbledhjes së grupit parlamentar të PD-së, Berisha u pyet nga gazetarët për fletë-thirrjen e bërë publike ditët e fundit, dhe u shpreh se nuk do t’i shmanget paraqitjes.

“Do të paraqitem në SPAK”, tha Berisha. Ai shtoi se prej kohësh ka kërkuar që çështja të hetohet nga prokurorë ndërkombëtarë, duke akuzuar kryeministrin Edi Rama për, sipas tij, pengimin e procesit.

“Kam kërkuar prokuror ndërkombëtar për këtë çështje. Hetimi është penguar me vite nga Rama,” u shpreh Berisha.

SPAK e ka thirrur ish-kryeministrin si person që ka dijeni për ngjarjen, pas vendimit të Gjykatës së Lartë dhe rekomandimeve të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, e cila konstatoi se hetimet e mëparshme ishin penguar dhe jo të plota.

Berisha pritet të paraqitet në Prokurorinë e Posaçme të premten në orën 10:00.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *