Ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, ka hedhur akuza të forta ndaj qeverisë, duke deklaruar se viti 2025 ka qenë më i rëndi për qytetarët shqiptarë sa i përket korrupsionit dhe keqmenaxhimit të pasurisë publike.
Gjatë një deklarate për media, Berisha u shpreh se shqiptarët janë përballur me një nivel të paprecedentë vjedhjeje, duke e cilësuar vitin që lamë pas si “më grabitqarin në historinë e vendit”.
“Në vitin 2025 shqiptarët u vodhën më shumë se kurrë më parë në historinë e tyre”, deklaroi Berisha, duke shtuar se kjo situatë ka ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e varfërisë, emigracionit dhe mungesën e shpresës tek qytetarët.
Sipas tij, abuzimet me fondet publike, koncesionet dhe tenderët kanë dëmtuar rëndë ekonominë e vendit, ndërsa përgjegjësit, siç tha ai, nuk janë vënë ende para drejtësisë.
Berisha bëri thirrje për reagim qytetar dhe për një ndryshim rrënjësor politik, duke theksuar se vetëm përmes transparencës dhe llogaridhënies mund të rikthehet besimi i qytetarëve te institucionet.

