Sali Berisha ritheksoi se nuk planifikon të japë dorëheqjen pas humbjes në zgjedhjet lokale të 14 majit. Lideri i demokratëve theksoi në konferencën për shtyp me gazetarët se do të kërkojë sërish votëbesim nga strukturat e partisë, pasi sipas tij statusi e përcakton qartë se në rast të humbjes në zgjedhjet lokale, drejtuesi i partisë kalon në votëbesim dhe nuk është i detyrurar të japë dorëheqjen.
Berisha po ashtu përsëriti akuzat për blerje masive votash në zgjedhjet e së dielës. Sipas tij, pjesë e strukturave që grabitën votën e shqiptarëve ishin dhe pjesëtarë të bandave kriminale shqiptare që jetojnë në Dubai. Kreu demokrat nënvizoi se këta pjesëtarë bandash kriminale erdhën me synimin e qartë për të ushtruar presion mbi votuesit dhe për të blerë vota në favor të kandidatëve të mazhorancës në pushtet.