Epopeja e përvitshme e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës risjell në vëmendje Besarta Jasharin, të mbijetuarën e vetme të betëjës së Prekazit të 5,6 dhe 7 marsit të vitit 1998.
Besarta Jashari, mes shumë rrëfimesh kujton se burrat e familjes Jashari luftonin në një dhomë të ndarë nga pjesa tjetër e familjes dhe gjatë tre ditëve e netëve ata vazhdimisht këndonin për të motivuar njëri-tjetrin dhe pjesën tjetër të familjes.
Besarta kujton se e kuptoi se krerët e familjes kishin rënë në luftime kur nuk po dëgjoheshin zërat e tyre duke kënduar.
Besarta Jashari, momentin më të vështirë përshkruan ndarjen nga Blerina, motra e saj e vogël e vrarë nga bombardimet e artilerisë serbe.
Ajo sjell në kujtesë faktin se i fundit nga meshkujt e shtëpisë që kishte rënë në luftime ishte Kushtrim Jashari, vetëm 13 vjeç, i vrarë në oborrin e shtëpisë me armë në dorë.
Besarta Jashari, e bija e Hamëz Jasharit kujton se serbët nuk e identifikonin dot trupin e Adem Jasharit pasi ai kishte hequr mjekrën e tij karakteristike.
56 persona humbën jetën nga luftimet në Prekaz, 26 prej tyre pjesë e familjes Jashari.
Kompleksi memorial “Adem Jashari” në Prekaz vijon të mbetet një nga vendet më të vizituara nga shqptarët dhe kombësitë e tjera. Vendflijimin e Jasharëve e kanë vizituar mbi 10 milionë njerëz.