Kumtesë në Aktet e konferencës gjuhësore – Durrës, 15-17 – dhjetor 2010

Të nderuar kolegë e kolege,

Paskajorja me + forma e pjesores pësore e së kryerës është krijuar para formimit të mbiemrit të nyjshëm, që domethënë se ishte e tërë shqipes, ashtu si dhe privativi pa + forma e pjesores. Krijimi i kësaj forme nuk e pengoi përdorimin e mënyrës lidhore, që ishte para kësaj forme infinitivale. Përveç në disa raste tepër të pakta, ku nuk ishin të zëvendësueshme nga njëra-tjetra, lidhorja e paskajorja e tillë ishin variante stilistike, variante të lira, d.m.th. funksionuan e funksionojnë edhe sot si të tilla në dialektin e gegërishtes, ashtu siç funksionojnë edhe në disa gjuhë të tjera. Kuptohet, prandaj, se dalja nga përdorimi i kësaj paskajoreje vetëm nga të folmet toske do të jetë bërë nën ndikimi e jashtëm, nën ndikimin e një gjuhe në kontakt intim, që për dialektin e toskërishtes mund të ishte greqishtja e mesme, që e kishte humbur paskajoren, në kohën kur në gjuhën shqipe ishin dobësuar së tepërmi lidhjet veri-jug. Ajo doli nga përdorimi nga preferenca e shprehjes me lidhore.

Nga kjo kuptohet se toskërishtja, që domethënë edhe shqipja standarde, nuk e kundërshton praninë e një paskajoreje, që do të ishte në funksion varianti me lidhoren. Nga ky aspekt paskajorja e tillë e ka vendin e zbrazët në sistemin foljor të shqipes standarde. E meqë një paskajore e tillë ekziston në gjuhën shqipe dhe është shumë e përdorshme në dialektin gegë, në kushtet e bashkëjetesës së intesifikuar të të folmeve të dy dialekteve tona, kjo paskajore ushtron presion për të hyrë në standard dhe po shfaqet e përdorur te folësit e gjuhës standarde gjithnjë e më tepër, sidomos në të folurit e shpejtë, për shkak se, duke qenë formë foljore pa vetë e pa numër, është e seleksionueshme më me lehtësi se lidhorja e ngarkuar me këto kuptime.

Në këtë paskajore është përcjellë ndryshimi i formës së pjesores. Ajo qe me formë të njëjtë për tërë shqipen jo vetëm në kohën e përftimit të kësaj paskajoreje, që është e periudhës para përfundimit të huazimeve latine, por edhe kur ra -n-ja fundore te pjesorja në -on: *ka shko, *ka puno dhe deri kur kjo -o u diftongua në uo: shkuo, punuo etj. dhe kur ra më vonë edhe te pjesorja me zanore të tjera: ka pre, ka ble, ka ra, ka pi, ka thye etj. Kjo gjendje e përbashkët e formës së pjesores dëshmohet në format e habitores: la-kam, pre-kam, thye-kam., shkuo- kam etj., që mendojmë se është krijuar kah shek. XI. Pas kësaj kohe toskërishtja formën e mbiemrit prejpjesor e kaloi edhe në pjesoren në përdorim foljor: i,e pre-rë – ka prerë, i, e la-rë – ka la-rë, i, e thye-rë – ka thye-rë, duke e barazuar formimin e mbiemriit nga pjesorja, siç ishte në formën e pjesores me apofoni: ka mbjellë – i, e mbjellë, ka dalë – i, e dalë e në -në: ka thënë – i, e thënë, ka lënë – i, e lënë –, ka marrë – i, e marrë etj. dhe te pjesoret në konsonant: ka pritur – i, e pritur, ka ardhur – i, e ardhur, ka djegur – i, e djegur etj. Pjesa më e madhe e gegërishtes ndoqi rrugë tjetër. Ajo e ruajti dallimin e formës së mbiemrit prejpjesor nga pjesorja në zanore e në diftong në përdorim foljor, duke e lënë formimin e mbiemrit nga pjesorja + prapashtesë: ka la – i la-m – i la-në, ka pre – i pre-m – i pre-në, ka thye – i thye-m – i thye-në, ka punuo – i punuo-m – i punuo-në etj. dhe e përgjithësoi këtë mënyrë formimi të mbiemrit edhe me format e tjera të pjesores: ka mbjellë – i, e mbjell-un, ka mjelë – i, e mjel-un, ka tjerrë – i, e tjerrun, ka lanë – i, e lan-un, ka marrë – i, e marr-un , ka thanë – i,e thanun etj. Në realizim të këtij kriteri që mbiemri të formohet nga pjesorja plus prapashtesa, në gegërishte u shkurtua pjesorja në bashkëtingëllore, kështu që nga ka ardhunë – i, e ardhunë u kalua në ka ardhë – i, e ardh-unë, nga ka pritunë – i, e pritunë në ka pritë – i, e prit-unë etj., në një proces të përfunduar pas autorëve tanë të vjetër, te të cilët shihet se ky proces porsa kishte filluar. Kështu e vetmja formë e pjesores që mbeti e barabartë në të dy dialektet është forma e foljeve apofonike në sonante: vjelë, mbjellë, dalë, marrë dhe në ato që përfundonin në -n: thënë, lënë (thanë, lanë) etj. me dallimin fonetik a – ë.

Kjo formë e përbashkët e pjesores e lehtëson përdorimin paskajoren me + pjesore brenda gjuhës së folur standarde: me vjelë, me mbjellë, me dalë, me marrë, me lënë, me nxjerrë etj., ndihmuar edhe nga format e pranuara më parë në toskërishte si me thënë, me qenë (do me thënë, me qenë se, me qenë që ).

Humbja e paskajores, që duket të jetë kryer kah shek. XIII si në disa gjuhë ballkanike, u bë kur format e pjesores në toskërishte ishin këto që u shënuan, d.m.th. këto që janë edhe sot. Paskajorja e tillë është e dëshmuar si formë reliktore e ngurosur në shumë pak raste në ndonjë të folme të arbërishtes në Itali, siç na e thotë edhe Altimari: për me ngrën, për me pir, pir me qeshur, pir me bler, e në ndonjë rast të izoluar në toskërishte, siç dalin format tuk me mbaruar, tuk me thënë në të folmen e Beratit. Këto të fundit duket se janë mbetje të paskajores në toskërishte edhe nga shkaku se në këtë përdorim paskajorja nuk mund të zëvendësohej nga forma e lidhores.

Pas mënjanimit të kësaj paskajoreje, toskërishtja qëndroi vijimisht brenda arsyeve që e përjashtuan nga përdorimi, kështu që nuk mund të pritej që të fillonte ndonjë proces i krijimit të një paskajoreje të tillë. Përdorimet e paskajores te disa shkrimtarë toskë të Rilindjes me + pjesorja e toskërishtes si: me (mos) pasurë, për me (mos) prishurë, për me (mos) mbeturë etj. janë çmuar me të drejtë si trajta të formuara si “përpjekje të vetëdijshme për afrimin e dy dialekteve të shqipes në të shkruar”. Format e tilla të paskajores nuk mund të jenë krijuar nën ndikimin e gegërishtes, sepse me formën toskërishte të pjesores janë të paqena edhe në gegërishte, d.m.th. janë krijime artificiale, të cilat prandaj nuk i pranoi as toskërishtja e folur, duke i lënë jashtë përkrahjes që të bëhen edhe formë e shkruar. Kështu paskajore në gjuhën standarde mund të bëhet vetëm paskajorja e gegërishtes nën presionin e përdorimit intensiv në gegërishte, paskajore me format e pjesores së saj bashkë me format e toskërishtes: lënë, thënë etj.

Duke u bërë pjesë e sistemit foljor të shqipes standarde, paskajorja nuk imponon ndryshimin e formës së pjesores të kësaj gjuhe, sepse kjo formë është e mbështetur nga dialekti toskë në të gjitha funksionimet e saj, përveç të tjerash, siç u tha, edhe me mënyrën e formimit të mbiemrit të nyjshëm prejpjesor drejtpërdrejt nga pjesorja, edhe me krijimin e emrave asnjanës prejpjesorë: të vrapuarit, të ushqyerit etj. edhe brenda formave të ndryshme foljore e emërore. Atë e mbron funksioni i saj identifikues si pjesë e sistemit foljor të toskërishtes. Kështu paskajorja e gegërishtes imponohet të hyjë në shqipen standarde edhe për arsye se nuk provokon efekte ndryshimesh të tjera në morfologjinë e kësaj gjuhe.

Mundësia e hyrjes së kësaj paskajoreje të gegërishtes në shqipen standarde për arsyet që u shënuan, ka mbështetje edhe te disa forma të pjesores së gegërishtes që kanë hyrë në standard me formën e habitores: la-kam, thye-kam, prit-kam, marr-kam, ardh-kam etj., te mbiemrat prejpjesorë në -shëm: i punue-shëm, i thye-shëm, i afrue-shëm, i pa-shëm, i bleshëm, i rrit–shëm, i prek-shëm, i bind-shëm etj., te emrat e vepruesit: mësue-s, ndërtue-s, thye-s, pritë-s, ardhë-s, djegë-s, prekë-s, prishë-s etj. si dhe te formimi i disa emrave të prejardhur me prapashtesën -je, që figuron e shtuar mbi pjesoren e gegërishtes: ardh-je, mbet-je, vërejt-je, humb-je, fol-je etj. Edhe këto pjesore të gegërishtes në kuadër të këtyre formave nuk kanë ushtruar presion që të bëhet e njëjtë pjesorja e gjuhës standarde dhe nuk ka bërë presion as pjesorja e standardit që të dalë në vend të këtyre formave gege të pjesores (me pak përjashtime). Kështu pjesorja e standardit e toleron pjesoren e gegërishtes në përbërje të formave të shënuara foljore e emërore.

Paskajorja po vjen në përdorim gojor të shqipes standarde, tash me trajtim si devijim nga standardi. Duke e pranuar në standard, si lejim i standardit e jo për hatër të gegërishtes, do të përshpejtohej përdorimi i shlirshëm i saj, inkuadrimi me tërë begatinë e saj funksionale që do t’ia sjellin folësit gegë të gjuhës standarde.

Me paskajoren e tillë si variant i lirë me lidhoren në gjuhën standarde të shkruar bëhet e mundur edhe një shprehje stilistike me përzgjedhje herë të lidhores, herë të paskajores, që i mungon shqipes standarde.

Kjo formë e paskajores, si kategori foljore që “përfaqëson kulmin e abstraksionit gramatikor në sistemin foljor të një gjuhe”, nuk është futur në gjuhën standarde në Kongresin e Drejtshkrimit për shkak të mendimit të gabuar se me të do të imponohej ndryshimi i pjesores së standardit, gjë që do ta lëndonte shumë bazën dialektore të saj.

Shqipja standarde e ka paskajoren e gegërishtes mundësi të begatimit të shprehjes. Në rrugë të realizimit të kësaj mundësie duhet të ndihmohet, me u ndihmue duhet.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *