Çmimet e naftës në tregjet ndërkombëtare kanë shënuar rënie të ndjeshme pas marrëveshjes për armëpushim mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Iranit, një zhvillim që është pritur pozitivisht nga tregtarët dhe investitorët në sektorin energjetik.
Pas arritjes së marrëveshjes dyjavore dhe rihapjes së Ngushticës së Hormuzit, një nga korridoret më të rëndësishme për transportin global të energjisë, çmimi i naftës bruto të tipit Brent Crude ka rënë me më shumë se 13 për qind, duke arritur në rreth 94 dollarë për fuçi.
Ngushtica e Hormuzit përbën një pikë kyçe për tregtinë globale të energjisë, pasi përmes saj kalon rreth një e pesta e naftës bruto dhe gazit natyror të lëngshëm në botë. Autoritetet iraniane kanë konfirmuar se kalimi i anijeve në këtë rrugë detare tashmë është i sigurt.
Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se tregu mund të vazhdojë të përballet me pasiguri, pasi prodhimi në disa nga vendet kryesore të Lindjes së Mesme është ngadalësuar gjatë tensioneve të fundit dhe mund të kërkojë kohë për t’u rikthyer në nivelet e mëparshme.
Para nisjes së sulmeve ushtarake nga SHBA-ja dhe aleatët e saj, çmimi i naftës ishte rreth 72 dollarë për fuçi, ndërsa mesatarja e vitit të kaluar ishte rreth 69 dollarë.
