Në Shqipëri, dikur një vend i izoluar dhe ende i varfër – ku vetëm një grup i vogël njerëzish udhëtonte jashtë vendit për dekada – simbolika e përdorimit të një aeroplani privat është më e fortë, në mënyrë të veçantë kur këto udhëtime bëhen nga zyrtarë publikë si kryeministri Edi Rama, shpesh larg syve kureshtarë të publikut.
Avionët privatë reaktivë për distanca të gjata, të cilët përdoren nga elitat globale të biznesit dhe politikës, nuk janë thjesht mjete udhëtimi. Ata shërbejnë si një metaforë e hendekut midis njerëzve të pasur dhe të pushtetshëm dhe pjesës tjetër të shoqërisë, e cila pret me durim në terminal për të marrë aeroplanin e linjës.
Në Shqipëri, dikur një vend i izoluar dhe ende i varfër – ku vetëm një grup i vogël njerëzish udhëtonte jashtë vendit për dekada – simbolika e përdorimit të një aeroplani privat është më e fortë, në mënyrë të veçantë kur këto udhëtime bëhen nga zyrtarë publikë si kryeministri Edi Rama, shpesh larg syve kureshtarë të publikut.
Udhëtimi i fundit i liderit shqiptar në vizitën shtetërore tre-ditore në Izrael, me rastin e pjesëmarrjes në Konferencën Ndërkombëtare për Luftën kundër Antisemitizmit, u realizua nëpërmjet avionit “Bombardier Global 5000”, dikur në pronësi të Sam Bankman-Fried, një sipërmarrës amerikan i dënuar për mashtrim dhe pastrim parash.
Kjo nuk është hera e parë që Rama përdor një avion privat për udhëtimet e tij zyrtare. Për vite me radhë ai shfrytëzoi një Airbus A319-100 të konfigurimit VIP nga kompania e flamurit “Air Albania”, i pagëzuar me emrin “Ismail”, në nder të themeluesit të shtetit shqiptar, Ismail Bej Vlora.
Përfaqësues të mazhorancës argumentojnë se përdorimi i një “avioni qeveritar” për udhëtime zyrtare nga kryeministri lidhet me “dinjitetin” e shtetit shqiptar dhe përfaqësimin e tij në arenën ndërkombëtare.
Kritikët e Ramës nga radhët e opozitës mendojnë të kundërtën, ndërsa theksojnë se dinjiteti që gëzon një zyrtar publik – qoftë brenda apo jashtë vendit – nuk lidhet me luksin e mjeteve të transportit të përdorura prej tij.
Arlind Qori, kreu i Lëvizjes Bashkë, deklaroi se dinjiteti i vendit cenohet nga një qeveri e korruptuar dhe e papërgjegjshme, duke kritikuar edhe aventurat gjeopolitike për interesa politike.
I pyetur nga BIRN, Rama e lidhi përdorimin e avionit privat me çështjen e sigurisë, duke thënë se shpenzimet nuk janë mbuluar nga qeveria shqiptare, pa specifikuar se kush i kishte mbuluar ato.
Qeveria e Izraelit nuk iu përgjigj një kërkese për koment nëse kishte paguar fluturimin e kryeministrit shqiptar për në Tel Aviv.
Tre dekada pas rënies së regjimit komunist, Shqipëria mbetet një nga vendet më të varfra në Europë, me të ardhura për frymë pak më të larta se Moldavia dhe Kosova.
Edi Rama është një nga politikanët që ka shenjuar periudhën e tranzicionit, duke udhëhequr prej vitit 2013 si kryeministër dhe duke siguruar një mandat të katërt në zgjedhjet e vitit 2025. Megjithatë, qeveria e tij është përndjekur nga akuza për korrupsion në nivelet më të larta ekzekutive.
Në klimën e një përballjeje mes pushtetesh për imunitetin e Belinda Ballukut, vizita në Izrael u konsiderua nga kritikët si një mundësi për përmirësimin e imazhit të kryeministrit.
Së bashku me kryeministrin në Izrael udhëtuan edhe bashkëshortja e tij Linda Rama, zëvendësministrja e Jashtme Megi Fino dhe shefja e SHISH, Vlora Hyseni.
Vizita përfshiu ndalesa në vende përkujtimore, takime me zyrtarë izraelitë dhe një fjalim në parlamentin izraelit, ku Rama theksoi lidhjet historike midis dy popujve dhe ndihmën e shqiptarëve për hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Sipas të dhënave të aplikacionit “Flightradar”, avioni “Bombardier Global 5000” u nis nga Rinas më 25 janar dhe u kthye më 27 janar.
Avioni me numër “N410AT” është një mjet reaktiv biznesi i prodhuar në vitin 2008 nga kompania kanadeze Bombardier Aerospace. Të dhënat e pronarit aktual janë anonimizuar, ndërsa dihet se më parë ai ishte pjesë e pasurive të sekuestruara pas kolapsit të bursës së kriptovalutave FTX dhe arrestimit të themeluesit të saj, Sam Bankman-Fried.
Në mars 2024, Bankman-Fried u dënua në SHBA me 25 vjet burg për mashtrim dhe komplot. Pasuria e tij, përfshirë avionët privatë, u konfiskua me vendim gjykate.
Tregu i fluturimeve private është rritur ndjeshëm në vitet e fundit dhe vlerësohej rreth 39.8 miliardë dollarë në vitin 2025, megjithëse sektori është kritikuar për ndikimin në mjedis dhe mungesën e transparencës në disa raste.
Në Shqipëri, kritikat ndaj përdorimit të avionëve privatë nga qeveria lidhen kryesisht me transparencën e shpenzimeve publike. Që nga viti 2020, kryeministri përdori shpesh avionin e “Air Albania” për udhëtime zyrtare, gjë që u bë objekt debatesh politike.
Në tetor 2025, Këshilli i Ministrave vendosi t’i shpallë sekret të dhënat për udhëtimet e kryeministrit dhe zyrtarëve të lartë jashtë vendit, duke argumentuar mbrojtjen e të dhënave personale, vendim që u kritikua nga organizatat e shoqërisë civile.
Marrëveshjes për përdorimin e avionit “Ismail” i erdhi fundi në dhjetor 2025, pasi kompania “Air Albania” ndaloi së operuari për shkak të borxheve të mëdha. Ekspertë të sektorit të turizmit dhe përfaqësues të opozitës kanë dhënë interpretime të ndryshme për arsyet e falimentimit.
Kritikët e përdorimit të fluturimeve “charter” nga Kryeministria argumentojnë se kjo përbën shpërdorim të parave publike dhe nuk i shërben reputacionit të vendit, ndërsa zyrtarë dhe mbështetës të qeverisë kanë mbrojtur përdorimin e tyre me argumente për sigurinë dhe përfaqësimin shtetëror.
Burimi: BIRN

