Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka njoftuar sot përfaqësuesin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë–Serbi, Peter Sørensen, lidhur me një problem serioz që, sipas tij, është shndërruar në pengesë sistemike ndaj të drejtave të shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.

Bislimi bëri të ditur se 3,650 nxënës shqiptarë në Luginë po përdorin 35,448 tekste shkollore të siguruara dhe financuara nga Qeveria e Kosovës, pas kërkesës zyrtare të Këshillit Kombëtar Shqiptar (KKSH). Ai theksoi se qeveria ka përmbushur të gjitha obligimet ligjore dhe institucionale për këtë proces.

Megjithatë, fondet përkatëse prej 304,511.16 eurosh, të destinuara për furnizimin me libra shkollorë, mbështetjen e aktiviteteve ndërkombëtare dhe funksionimin institucional të KKSH-së, janë bllokuar tre herë radhazi nga banka pranuese në Serbi. Në të gjitha rastet, transfertat janë refuzuar pa asnjë shpjegim ligjor apo teknik.

“Ky nuk është gabim teknik, por një model i qëllimshëm administrativ që synon të pengojë mbështetjen e ligjshme dhe transparente për komunitetin shqiptar në Luginë,” – tha Bislimi.

Sipas tij, praktika të ngjashme janë vërejtur edhe në anulimin e programit të subvencioneve bujqësore të KKSH-së, pavarësisht se procedurat ligjore dhe verifikimet ishin përfunduar plotësisht.

Bislimi nënvizoi se institucionet e Kosovës kanë dorëzuar në BE të gjitha provat dokumentare, përfshirë komunikimet SWIFT, kthimet e bankave dhe dokumentet zyrtare të vendimeve qeveritare.

Në fund, ai theksoi se Kosova mbetet e përkushtuar ndaj dialogut me Serbinë, por nuk mund të qëndrojë indiferente kur, siç tha ai, “mekanizmat administrativë përdoren për të cenuar të drejtat e shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.”

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *