Byroja Kombëtare e Hetimit ka reaguar zyrtarisht pas deklaratës së kryeministrit Edi Rama, lidhur me hyrjen e hetuesve të BKH-së në ambientet e Kryeministrisë, duke sqaruar se procedurat janë ndjekur në përputhje me ligjin dhe se nuk ka pasur asnjë incident apo përplasje me Gardën e Republikës.

Në një përgjigje për interesin e medias, BKH-ja bën me dije se më datë 20 nëntor 2025, tre hetues të saj janë paraqitur në ambientet e Këshillit të Ministrave për ekzekutimin e vendimit nr. 118, datë 19.11.2025, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë, i cili parashikonte masën e pezullimit nga detyra të Zëvendëskryeministres Belinda Balluku.

Sipas sqarimit zyrtar, në hyrjen e brendshme të institucionit, hetuesit janë informuar nga punonjësit e Gardës së Republikës se, bazuar në rregulloren e sigurisë, nuk lejohet hyrja me armë zjarri në ambientet e brendshme. Njëri prej hetuesve ka kërkuar informacion lidhur me mënyrën e depozitimit të armëve, ndërsa Garda i ka orientuar drejt dollapëve të posaçëm të sigurisë, të vendosur në hyrje të institucionit.

Pas verifikimit se ambienti i depozitimit ishte i sigurt dhe i monitoruar me kamera, hetuesit e BKH-së kanë depozituar armët dhe kanë vijuar normalisht me kryerjen e veprimeve procedurale.

Byroja Kombëtare e Hetimit thekson se në asnjë moment nuk ka pasur debat apo përplasje mes hetuesve të saj dhe punonjësve të Gardës së Republikës, duke hedhur poshtë çdo pretendim për incidente apo shkelje të protokollit.

Në reagimin e saj, BKH rikujton gjithashtu se e drejta e hetuesve për mbajtjen e armës së zjarrit parashikohet nga ligji nr. 25/2019 “Për organizimin dhe funksionimin e Policisë Gjyqësore”, ku neni 31, pika 3, përcakton qartë se oficerët e Policisë Gjyqësore, përfshirë edhe ata të BKH-së, pajisen me armë zjarri sipas legjislacionit në fuqi.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *