Elton Ndoni tha para mediave se ka derdhur plot 10 mijë litra qumësht nga autoboti i tij në shenjë proteste ndaj çmimit të ulët në treg dhe braktisjes nga shteti.
Ai shtoi se shteti jep subvencione të papërfillshme për blegtorët dhe mbijetesa në këtë treg sa vjen dhe vështirësohet.
“10 mijë litra qumësht i futa në autobot dhe i derdha në rrugë, në shenjë proteste, për shkak të çmimit të ulët, me të cilin na e kërkojnë. E bëra që ta shihnin të gjithë, edhe fabrikat, edhe autoritetet, sepse ky është gjaku i fermerit”, thotë Ndoni për Radion Evropa e Lirë.
Makutëria e industrisë së qumështit e ka shkaktuar këtë situatë. Çmimi caktohet në zyrat e punishteve. Vjen qumësht nga Hungaria dhe neve na kanë çuar në fund. Edhe tregtarëve nuk u vë faj se e gjejnë më lirë sepse atje [në vendet e Bashkimit Evropian] blegtori subvencionohet për litër qumështi, për krerë bagëtish etj., kurse unë këtu deri vjet subvencionohesha për 50 krerë bagëti nga një mijë lekë [10 euro] për një, ndërsa për pjesën tjetër fare. Sivjet ka ndryshuar diçka, sepse për pjesën tjetër, veç 50 krerëve, ka subvencionim me 50%.” – shprehet Ndoni.