Sekretari amerikan i Shtetit, Antoni Blinken njoftoi se pati një bisedë telefonike më kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti. Blinken njoftoi se ka kërkuar nga Kurti masa të menjëhershme për uljen e tensioneve në veri të Kosovës duke nisur me zbatimin e planit me 3 pika të paraqitur nga BE-ja dhe organzimn e shpejtë të zgjedhjeve të reja në 4 komunat e veriut.
Bisedën me Blinken e konfirmoi dhe Kurti i cili theksoi se e ka informuar zyrtarin e lartë amerikan për dhunën e organizuar nga serbët ndaj trupave të KFORi-t, gazetarëve, dhe për tentativën për organizimin e një sulmi terrorist në Zveçan.
Sakaq, tensionet vijojnë të jenë të larta pasi Policia e Kosovës njoftoi për një sulm me granatë në godinën e komunës në Mitrovicën e veriut. Nga sulmi nuk pati viktima në njerëz, por vetëm dëme materiale.
“Me datën 26.06.2023, në orët e vona të mbrëmjes nga person/a të dyshuar është sulmuar me mjetë shpërthyes Komuna në Veri të Mitrovicës. Bazuar në informatat zyrtare dyshohet se në oborrin e objektit komunal në Mitrovicë Veri, afër hyrjes së objektit është hedhur një mjet shpërthyes, i cili dyshohet të ketë qenë granat dore, me çrast ka shkaktuar disa dëme materiale në veturat zyrtare. Fatmirësisht nuk raportohet për lëndime në njerëz, përveç dëmeve materiale të shkaktuara në dy vetura zyrtare të policisë.” – thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.