Kosova zhgënjeu në “Fadil Vokrri” duke barazuar në mënyrë surprizë 1-1 me Andorën.
Dardanët vuajtën përballë një Andore të rreshtuar në 30 metrat e fundit të fushës duke qenë konfuzë në organizimin e manovrës sulmuese, pavarësisht se rastet për gol nuk munguan.
Lojën apatike të Kosovës e pranoi dhe tekniku Alen Zhires, i cili po ashtu fajësoi dhe arbitrin për mosakordimin e një penalltie. Zhires theksoi se nuk ka ndërmend të dorëhiqet nga drejtimi i Kosovës pavarësisht këtij barazimi me Andorën.
“Mendoj se nuk e gjetëm zgjidhjen. Na mungoi diçka për konkretizimin e rasteve. Edhe arbitri nuk mori vendimet e duhura. Ka shumë arsye se pse kjo ndeshje përfundoi 1-1. Ishim të vetëdijshëm që Andora do të luante e ngjeshur pas. Kishim aksione, krijuam raste, por nuk ia dolëm të depërtonim për të shënuar e fituar.
Kam kërkuar të luanim më shpejt. Na mungoi veprimi i fundit. Kjo gjë ndikoi.” – u shpreh Zhires në konferencën për shtyp.