13 tetor 1943
Nga Xhafer Sadiku
Një nga ngjarjet e shumta historike që ka fshehur historiografia komuniste dhe postkomuniste është edhe bombardimi i Tiranës, më 13 tetor 1943, nga skuadriljet e Flotës Aleate të Mesdheut. Pasojat e atij bombardimi ishin më shumë se 500 qytetarë të pafajshëm të vrarë dhe të plagosur, si dhe dëme të mëdha materiale.
Regjimi komunist nuk e përmendi kurrë këtë ngjarje të dhimbshme; madje, kur shtypi shkroi pas vitit 1990, Nexhmije Hoxha u justifikua, duke thënë se “qëllimi dhe interesi ynë nuk ishte të ftoheshim me aleatët. Madje edhe kur kjo erdhi vetiu, jo për shkakun tonë.”
Si mund të besohet një variant i tillë, kur Enver Hoxha nuk linte rast për të demonizuar anglo-amerikanët; madje ka shkruar edhe librin Rreziku Anglo-Amerikan për Shqipërinë. Atëherë, si është e vërteta?
Për të mësuar të vërtetën duhet të kthehemi tre muaj pas, në korrik 1943, kur u formua Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Nacional-Çlirimtare.
Pikërisht, më 7 korrik 1943, ditën e mërkurë, u mblodh komisioni i ngarkuar nga Shtabi, i përbërë prej Abaz Kupit, Spiro Moisiut, Enver Hoxhës, Ymer Dishnicës dhe Mustafa Gjinishit, për të përgatitur projektin e kërkesave që do t’i bëheshin delegacionit ushtarak aleat. Komisioni paraqiti projektin si më poshtë:
2,000 mina për autoblinda; 10,000 bomba dore; 10 radio-stacione për përdorim të brendshëm; 2 radio-stacione për rajone të mëdha; 200 mitraloza të rënda; 21 topa malorë; 1,000 kuaj dhe mushka për transportin e mitralozave, artilerisë dhe materialeve të tjera; 50 motoçikleta; 300 biçikleta; 50 kamionë me goma; 200 revole njëzetëshe automatike gjermane; 10 milionë fishekë; 10,000 fishekë për çdo mitraloz; 2,000 fishekë për çdo armë automatike; uniforma dhe mbathje ushtarake.
Shtabi parashikonte të mobilizonte menjëherë 10,000 vetë, prandaj kërkonte gjithashtu 10,000 pushkë, 500 mitraloza të lehtë, 1,000 pushkë automatike, 100 mortaja 45, 20 mortaja 81, 500 pushkë franceze me hinka bomba hedhëse, 50,000 bomba, 20 armë anti-ajrore, 50 armë anti-karro dhe 50 flakëhedhës. Përcaktuan vendet në male ku do të hidheshin materialet e kërkuara, të pajisura me hartat dhe planet e rrugëve dhe urave.
Ajo që ka lidhje me tragjedinë për të cilën po shkruajmë ishte pikërisht propozimi i Shtabit të Përgjithshëm që qytetet Tiranë, Durrës dhe Vlorë të bombardoheshin nga ajri.
Pra, ishte propozim i komunistëve, të cilin e zbatuan me përpikëri aleatët anglo-amerikanë. Më 13 tetor 1943 ata bombarduan Tiranën, ndërsa më 4 dhjetor bombarduan Durrësin.
Përfundimisht, duhet thënë se anglo-amerikanët plotësuan të gjitha kërkesat dhe propozimet e komunistëve.