Ish-kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Boris Xhonson, komentoi takimin e Donalld Trampit me Vladimir Putinin në Alaskë, duke e cilësuar atë si “ndoshta episodin më të neveritshëm në të gjithë historinë e diplomacisë ndërkombëtare.” Ai shprehu indinjatë për mënyrën se si Putini u prit në tokë amerikane, duke theksuar se pamja i shkaktoi neveri.
“Ky ishte ndoshta episodi më i neveritshëm në gjithë historinë e diplomacisë ndërkombëtare. Më erdhi për të vjellë kur pashë mënyrën si Putini u përshëndet në Shtetet e Bashkuara, kur u duartrokit në tapetin e kuq dhe kur buzëqeshte si Gollumi. Është një nga të paktët udhëheqës botërorë që, për aq sa më kujtohet, u ftua të ulej në sediljen e pasme të limuzinës presidenciale,” tha Xhonson.
Në analizën e tij, Putini “në thelb kërkon ta rikthejë Ukrainën si një shtet vasal të Moskës.” Por, sipas Xhonsonit, populli ukrainas është i vendosur të jetojë i lirë. Kjo aspiratë, tha ai, ka mbështetjen afatgjatë të demokracive perëndimore dhe, siç shtoi, edhe të vetë Trampit dhe Zonjës së Parë, Melania Tramp, e cila po ndikon gjithnjë e më shumë në mënyrën e të menduarit të bashkëshortit të saj.
“Putini synon të kontrollojë Ukrainën dhe ta nënshtrojë sërish nën Moskë. Ukrainasit, përkundrazi, duan lirinë — dhe për këtë kanë përkrahjen e demokracive perëndimore dhe, më e rëndësishmja, të vetë Trampit dhe Zonjës së Parë, e cila po luan një rol gjithnjë e më të madh në formësimin e qëndrimeve të tij,” u shpreh ish-kryeministri britanik.
Xhonsoni paralajmëroi se pa respektimin e interesave dhe sovranitetit të Ukrainës, çdo marrëveshje do të mbetet e paqëndrueshme. Ai theksoi se mbështetja e aleatëve ndërkombëtarë është vendimtare për stabilitetin në rajon.