Dhjetë prirjet e biznesit për vitin 2024 dhe parashikimet për 15 industri. Një përmbledhje nga The Economist Intelligence Unit

Dhjetë prirjet e biznesit për vitin 2024

1.Bankat qendrore, duke përfshirë Rezervën Federale të Amerikës, po fillojnë të ulin normat e interesit, ndërsa çmimet rriten më ngadalë. Megjithatë, ndërsa inflacioni global është ende në nivelin 5%, konsumatorët do të vazhdojnë të tregohen të kursyer.

2.Falë përpjekjeve për të ngadalësuar ndryshimet klimatike, konsumi i energjisë së ripërtëritshme do të rritet me 11%. Por lëndët djegëse fosile, ende plotësojnë mbi katër të pestat e kërkesës për energji.

3.Shpenzimet në teknologji do të rriten me rreth 9%. Inteligjenca Artificiale ka shkaktuar bujë të jashtëzakonshme, por prodhon pak të ardhura të çmuara dhe tërheq shumë kritika.

4.Hendeku midis infrastrukturës që ka nevojë bota dhe asaj që realizon, do të arrijë në 3 trilionë dollarë. Për të mbyllur hendekun e infrastrukturës, investimet fikse bruto të Azisë do të zgjerohen me 4%.

5.Të ardhurat në industrinë e reklamave do të rriten me 5%, falë zgjedhjeve presidenciale të Amerikës dhe ngjarjeve të mëdha sportive, si Lojërat Olimpike në Paris.

6.Turizmi ndërkombëtar do të mposhtë pasigurinë gjeopolitike dhe ekonomike, duke krijuar të ardhura rekord me vlerë 1.5 trilionë dollarë, nxitur nga çmimet e larta dhe dëshira për turizëm pas periudhës pandemike.

7.Një botë e plakur shpenzon shumë për shëndetin. Me rreth një në dhjetë persona të moshës 65 vjeç e lart, kujdesi shëndetësor do të përbëjë një të dhjetën e PBB-së globale.

8.Amerika do të shpenzojë 886 miliardë dollarë për mbrojtjen, duke ndihmuar Ukrainën dhe duke kundërshtuar Kinën, fqinjët e së cilës, duke përfshirë Japoninë, Tajvanin dhe Filipinet, gjithashtu do të forcojnë mbrojtjen.

9.Automjetet elektrike do të vazhdojnë të përhapen me shpejtësi, të nxitura nga mbështetja e fortë e qeverive. Një në katër makina të reja do të jetë elektrike dhe më shumë se gjysma do të shitet në Kinë.

10.Duke qenë se 60% e kompanive amerikane lejojnë punën nga shtëpia, një e pesta e zyrave amerikane janë bosh. Ndërsa në BE, përqindja e zyrave të pazëna do të vazhdojë të jetë shumë më e ulët, vetëm 8%.

Mjedisi i biznesit

Gjeopolitika do të jetë sërish me rëndësi kyçe edhe në vitin 2024, ndërsa tensionet SHBA-Kinë rriten dhe luftërat në Ukrainë dhe në Gaza vazhdojnë. Inflacioni do të ulet dhe po ashtu, normat e interesit. Problemet e zinxhirëve të furnizimit do të zbuten dhe çmimet e mallrave do të ulen.

Por PBB-ja globale do të rritet me vetëm 2.2%, për shkak të rritjes së dobët në vendet e pasura. Ekonomitë në zhvillim do të kenë ecuri më të mirë, edhe pse Kina do të humbasë investimet e korporatave ndaj konkurrentëve. Kompanitë do të përballen me rregulla të reja mjedisore dhe ndoshta, një normë tatimore minimale globale.

Sektori automobilistik

Industria e makinave nuk do të jetë e vrullshme në vitin 2024. Shitjet globale do të bien poshtë niveleve parapandemike dhe do të shiten vetëm 3% më shumë makina të reja dhe 1% më shumë automjete komerciale se në vitin 2023.

Shitjet e naftës do të bien, ndërsa nxiten politikat për emetime të ulëta dhe qytetet franceze rrisin me shpejtësi zonat për këmbësorë dhe biçikleta.

Automjetet elektrike do të kenë më shumë sukses. Gati 25% e makinave të reja do të jenë elektrike, ku mbi gjysma do të shitet në Kinë. Tregu i automjeteve elektrike do të mbështetet edhe nga ndihmat qeveritare.

Prodhuesit kinezë të makinave do të përfitojnë nga uljet e taksave (dhe rritja e eksporteve). Blerësit amerikanë do të mund të përfitojnë nga çmimet më të ulëta. Për prodhuesit britanikë, pritet që makinat elektrike të përbëjnë 22% të shitjeve dhe ata gjithashtu duhet të paguajnë tarifa më të larta pas Brexit, nëse automjetet nuk përdorin mjaftueshëm pjesë këmbimi të prodhuara në vend.

Rregulla të ngjashme do të përhapen gjetiu nëpër botë, pasi Amerika, Kina, Japonia dhe BE-ja do të garojnë për investime në prodhimin e baterive.

Amerika do të përfitojë nga rreth 108 miliardë dollarë investime të premtuara për këtë qëllim, duke dyfishuar kapacitetin e prodhimit të baterive. Kompania Renault synon të zgjerojë biznesin e energjisë elektrike. Tesla do të konkurrojë me prodhuesit e ngjashëm europianë dhe kinezë. Drejtimi autonom i automjetit do të kufizohet nga rregulla të reja në BE dhe nga një rregullator federal në Uashington.

ÇFARË DUHET PASUR PARASYSH: Do të prodhohen bateri më të mira. Përveç baterive me jone litiumi, do të ketë bateri me litium-mangan-hekur-fosfat, të prodhuara nga kompania Gotion dhe bateri më të lira me natrium, të prodhuara nga kompania BYD.

Bateritë revolucionare në gjendje të ngurtë mund të zgjasin më shumë: Kompania kineze Saic thotë se ato do të jenë gati në vitin 2024, por Toyota dhe të tjerë synojnë vitin 2027.

Mbrojtja dhe hapësira ajrore

Ndërsa Ukraina lufton dhe marrëdhëniet SHBA-Kinë përkeqësohen, fuqitë ushtarake do të rrisin buxhetet e mbrojtjes. Rreth një e treta e anëtarëve të NATO-s, pritet të arrijnë synimin afatgjatë për të shpenzuar mbi 2% të PBB-së për mbrojtjen, një dhuratë e mirëpritur për 75-vjetorin e aleancës ushtarake.

Finlanda, një anëtar i ri i NATO-s, do të jetë mes shteteve që do të kalojnë këtë objektiv. Britania dhe Polonia do të qëndrojnë brenda tij, por Franca dhe Suedia do të shpenzojnë paksa më poshtë objektivit.

Amerika, shpenzuesi më i madh i mbrojtjes në botë, do të shpenzojë rreth 886 miliardë dollarë. Rreth 13 miliardë dollarë do të shkojnë për Ukrainën, përveç shumës prej 45 miliardë dollarësh që është dërguar deri tani. Do të bëhen shpenzime të mëtejshme për të pajisur forcat ajrore amerikane me avionë të rinj luftarakë.

Shpenzimet e qeverisë amerikane do të tërheqin kapital sipërmarrës dhe do të forcojnë mbrojtjen hapësinore. Amerika gjithashtu do të kryejë një tjetër udhëtim në Hënë, pas 52 vjetësh.

Sidoqoftë, buxheti i përgjithshëm i mbrojtjes do të rritet me vetëm 3%, duke mos kapur nivelin e rritjes së inflacionit dhe duke mbetur mbrapa Kinës, që do t’i rrisë shpenzimet e mbrojtjes me 7%.

Për shkak të frikës nga Kina, do të rriten shpenzimet e mbrojtjes edhe në Azi. Filipinet planifikojnë një rritje dyshifrore, Japonia një buxhet rekord të lartë.

Tajvani do të zgjasë shërbimin e detyrueshëm ushtarak dhe do të ketë mbrojtje kundër dronëve. India, blerësi më i madh i armëve ruse, do të rrisë edhe porositë nga vendet perëndimore.

Prodhuesit kinezë të armëve do të përfitojnë nga rritja e shpenzimeve në Pakistan. Amerika, Kina dhe Japonia do të përshpejtojnë përpjekjet për të ndërtuar dhe për të spikatur raketa hipersonike.

Energjia

Megjithëse përdorimi i energjisë së ripërtëritshme do të rritet me 11%, karburantet fosile do të plotësojnë rreth 80% të kërkesës për energji në vitin 2024.

Konsumi i naftës do të rritet me 1%, ndërsa ekonomitë rimëkëmben. Por falë prodhimit më të lartë në Arabi Saudite dhe Amerikë, çmimet e naftës do të mbeten nën 85 dollarë për fuçi. Përdorimi i qymyrit dhe gazit do të rritet gjithashtu, pavarësisht dyshimeve të investitorëve për qymyrin. Britania dhe ndoshta Italia, do të mbyllin termocentralet me qymyr, por dëshira e Azisë për burimet ndotëse, do të rritet.

Djegia e karburantit do të prodhojë 70% më shumë emetime karboni në vitin 2024, sesa në vitin 1990, duke sfiduar synimet për energji të pastër.

Si pjesë e objektivit për emetime neto zero, Britania do t’i shtyjë kompanitë për shkurtime të emetimeve. BE-ja do të ofrojë subvencione sipas Marrëveshjes së Gjelbër. Amerika do të synojë kursimin e energjisë, ndërsa Kina, një rritje më pak të theksuar të emetimeve të karbonit.

Konsumi i energjisë së erës dhe diellit, do të dyfishohet në krahasim me vitin 2019, i nxitur nga Akti i Uljes së Inflacionit në Amerikë dhe nga plani RePowerEU në Europë. Kostoja e prodhimit të energjisë së ripërtëritshme do të bjerë, por do të vazhdojë të jetë rreth 10-15% mbi nivelet e vitit 2020.

Do të hapen të paktën 11 centrale bërthamore, duke përfshirë edhe nga shtete që do t’i hapin për herë të parë, si Bangladeshi dhe Turqia. Investimet për hidrogjen po rriten në Gjermani, Jordani dhe gjetiu.

Megjithatë, burimet bërthamore dhe të ripërtëritshme, në total, do të mundësojnë më pak se 20% të të gjithë energjisë. Një pengesë do të jetë vetë ndryshimi i klimës, pasi thatësirat pengojnë funksionimin e hidrocentraleve.

Shërbimet financiare

Rritja e normave të interesit do të ngecë në vitin 2024 dhe fitimet e shumë bankave do të bien. Ngushtimi i të ardhurave neto nga interesi dhe “goditjet” në portofolat e pronave tregtare, do të dëmtojnë huadhënësit amerikanë.

Shumica e bankave të BE-së do të përjetojnë një rënie të kredive të këqija pas vitit të vështirë 2023 dhe do të ulin varësinë nga banka qendrore, duke emetuar borxhe. Bankat aziatike do të regjistrojnë rritje më të fortë, ndërsa Kina do të rrisë mbështetjen për tregun e trazuar të pronave.

Numri i degëve bankare dhe pikave të tërheqjes së parave të gatshme, do të bjerë edhe më tepër, për shkak të zhvendosjes drejt bankingut dixhital.

Bankat e BE-së do të shqyrtojnë mundësinë e monedhave stablecoin dhe bankat braziliane do të mbështesin një version dixhital të monedhës vendase.

Megjithatë, lëkundjet në fushën e teknologjisë financiare nuk kanë mbaruar dhe ka ende shumë investitorë që kërkojnë përfitime nga firmat startup.

Tregjet e aksioneve do të rriten, falë tregjeve në zhvillim të vrullshme dhe aksioneve të kompanive të teknologjisë. Londra do të luftojë kundër përpjekjeve të BE-së për të fituar terren në tregtimin e aksioneve, ndërsa India do të ketë suksesin më të madh në financat aziatike.

Rregulloret do të shtrëngohen në të gjitha llojet e financave. Zbatimi i rregullave bankare Basel III do të hyjë në fazën përfundimtare në dy të tretat e vendeve. Amerika do të rrisë kërkesat për kapital bankar. Kompanitë e sigurimit gjithashtu do të përballen me rregulla të reja të kapitalit dhe pretendime në rritje për klimën.

ÇFARË DUHET PASUR PARASYSH: Mjedisi financiar. Shqetësimet për klimën do të rriten në vitin 2024. Bordi Ndërkombëtar i Standardeve të Qëndrueshmërisë do të publikojë dy standarde globale për rreziqet mjedisore, sociale dhe të qeverisjes, duke garuar me rregullat më të rrepta të BE-së dhe ndoshta, ato më të lirshme amerikane.

Ushqimi dhe bujqësia

Economist Intelligence, një kompani motër e The Economist, parashikon se rënia e çmimeve të karburanteve dhe plehrave kimike dhe të korrat e bollshme për vitin 2024 do të ndikojnë në rënien e çmimeve të produkteve bujqësore, për të dytin vit radhazi. Por ka shumë rreziqe që mund të trazojnë parashikimet.

Lufta dhe moti i keq do të shkaktojnë uri mes 345 milionë njerëzve. Pasiguria ushqimore është e theksuar në rajonin e Detit të Zi: një bllokadë ruse e eksporteve të grurit të Ukrainës mund të rrezikojë furnizimet globale.

Dukuria natyrore El Niño, që shkaktohet kur rryma të ftohta përhapen në oqeanin Paqësor do të sjellë një mot të çrregullt, që mund t’i kushtojë ekonomisë botërore 3 trilionë dollarë.

Edhe pse El Niño pritet të zbutet nga mesi i vitit 2024, ai kërcënon të ulë rendimentet e të korrave në Afrikë, Azi dhe në Amerikën Qendrore.

Qeveritë do t’u përgjigjen këtyre problemeve me subvencione dhe kontrolle të çmimeve. India, një prodhues i madh ushqimesh, tashmë ka kufizuar eksportet e orizit dhe sheqerit.

Ushqimi i shëndetshëm do të rikthehet në modë. Kanadaja do të zhvillojë diskutime për të kufizuar numrin e reklamave të ushqimeve të pashëndetshme.

Polonia ka në plan të ndalojë shitjen e pijeve energjike për të miturit. Edhe vendet në zhvillim, si Kolumbia dhe Filipinet, do të rrisin tarifat për pijet me sheqer dhe ushqimet e përpunuara.

ÇFARË DUHET PASUR PARASYSH: Proteina pluhur. Në vitin 2024, një firmë finlandeze, e quajtur Solar Foods, do të prodhojë një proteinë në formë pluhuri, duke përdorur fermentimin e gazit për të ushqyer mikrobet. Solein pretendon se ajo mund të plotësojë nevojat e një personi për aminoacide dhe prodhohet pa fotosintezë. Ky produkt, i miratuar tashmë në Singapor, mund të ndihmojë në përballimin e mungesës së proteinave.

PO SIKUR?

Kërcënimi nga ndryshimet klimatike për botën e biznesit, po rritet vazhdimisht. Temperaturat globale me siguri do të rriten mbi nivelin 1.5ºC në krahasim me periudhën paraindustriale, gjë për të cilën udhëheqësit botërorë u zotuan se nuk do të ndodhte, kur u mblodhën në vitin 2015, në Samitin e Parisit.

Tashmë është e qartë se synimi nuk u arrit dot. Shkencëtarët thonë se ka një shans prej 66% që ky kufi i temperaturës të tejkalohet në vitet 2023-2027.

Pra, është thjesht çështje kohe. Po sikur temperaturat globale të kalonin pragun 1.5ºC në vitin 2024? Temperaturat më të larta do të ndikonin në rendimentet e të korrave, duke fikur shpresat për rënien e inflacionit. Kjo dhe kushtet e vështira mund të zmbrapsin blerësit, duke dëmtuar prodhuesit e mallrave të konsumit, të cilët do të përballeshin me një trysni të re për të ulur çmimet.

Një dimër i ngrohtë dhe verë përvëluese do të dëmtonin bizneset kudo, duke filluar nga vendpushimet e skive në Francë, e deri te parqet e argëtimit në Amerikë. Në logjistikë, shpërndarje dhe ndërtim, produktiviteti i punës do të ulej. Tashmë, ka pasur greva të punonjësve në firma si UPS dhe Amazon.

Përdorimi më i madh i ajrit të kondicionuar mund të shkaktojë ndërprerje të energjisë elektrike në mbarë botën. Kostot e sigurimit të shtëpisë do të rriteshin në zonat e cenueshme nga uraganet ose zjarret dhe pjesa më e madhe e Amerikës mund të bëhet e pasigurueshme. Kjo do të sillte një klimë të keqe për biznesin.

Kujdesi shëndetësor

Paratë nuk do mund t’i zgjidhin dot të gjitha problemet në industrinë e kujdesit shëndetësor në vitin 2024. Shpenzimet shëndetësore, që janë ende të larta nga pandemia dhe inflacioni, do të rrëmbejnë më shumë se 10% të PBB-së globale, por jetëgjatësia e nigerianëve do të mbetet 30 vite më e ulët se ajo e banorëve të Hong Kongut.

Rreth 10% e njerëzimit do të jetë 65 vjeç ose më lart. Vendet e zhvilluara me një popullsi në plakje do të garojnë mes tyre për punonjësit e shëndetësisë. Më shumë punonjës të shëndetësisë do të vuajnë nga rraskapitja; disa do të heqin dorë nga puna.

Qeveritë do të përpiqen të mbushin boshllëqet. Gati 80% e shpenzimeve do të vijnë nga burime publike si taksat apo sigurimet e detyrueshme, në krahasim me 75% në periudhën para Covid-19. Egjipti do të zgjerojë planin e sigurimeve shëndetësore në më shumë qytete. Sllovenia do të përgatisë një plan afatgjatë.

India do të kërkojë të rrisë shpenzimet shëndetësore përpara zgjedhjeve. Amerika do të përqendrohet në uljen e kostove dhe kufizimin ose mbrojtjen e të drejtave të abortit, në varësi të shtetit. Kujdesi privat do të ketë një rritje të paqartë: Amazon dhe Walmart do të hapin klinika të reja, por CVS Health do të shkurtojë stafin.

Shitjet globale farmaceutike do të kalojnë shifrën 1.6 trilionë dollarë, ku Amerika do të jetë përgjegjëse për mbi një të tretën, ndërsa Kina për një të dhjetën. Skadimet e patentave po shtohen. Në vitin 2024, barnat me vlerë 38 miliardë dollarë në shitje, duke përfshirë shumë ilaçe bioteknike do të përballen me konkurrencë nga versione gjenerike më të lira. Studiuesit do të luftojnë për patentat e mARN-së, ndërsa po rriten provat për efektivitetin e barnave kundër mbipeshës. Pandemia pothuajse do të zhduket, por nuk do të harrohet: do të hartohet një projekt-marrëveshje globale për t’u përgatitur për një pandemi të ardhshme.

ÇFARË DUHET PASUR PARASYSH: Përkufizimi i vdekjes. Për të përcaktuar se një person ka vdekur, disa juridiksione përqendrohen në vdekjen e trungut të trurit. Të tjerë këmbëngulin se duhet të pushojë e gjithë veprimtaria e trurit.

Reformat në Aktin e Amerikës për Përcaktimin Uniform të Vdekjes, që priten në mesin e vitit 2024, synojnë të zgjidhin dallime të tilla, një ngushëllim i pamjaftueshëm për familjet dhe mjekët që duhet të vendosin se kur të ndërpresin mbështetjen mjekësore për një pacient në këto kushte.

Infrastruktura

Përmirësimi i infrastrukturës së vjetruar të Amerikës mund të mos jetë përparësia kryesore e votuesve në zgjedhjen e një presidenti. Sidoqoftë, Joe Biden do të mburret me përpjekjet për të rigjallëruar energjinë dhe transportin.

Shpërblimet mund të jenë të ngadalta. Investimi fiks bruto i Amerikës, një tregues për shpenzimet e infrastrukturës, do të rritet me më pak se 1% në terma realë në vitin 2024, kundrejt shifrës prej 2.7% në mbarë botën.

Me këtë ritëm, hendeku midis shpenzimeve të infrastrukturës së Amerikës dhe nevojave të saj, do të arrijë në 2.6 trilionë dollarë në dekadën deri në vitin 2029, ose në 260 miliardë dollarë në vit.

Hendeku i Azisë është më i madh. Ai arrin në 459 miliardë dollarë në vit, ndërsa totali global është 3 trilionë dollarë. Por investimet fikse bruto aziatike do të rriten me 4% në vitin 2024.

Vetëm Indonezia do të ndajë 28 miliardë dollarë, duke shpenzuar në një kapital të ri. Kina do të përqendrohet në infrastrukturën dixhitale dhe asgjësimin e mbetjeve. Gjermania do të udhëheqë rritjen e investimeve prej 1% të BE-së, duke derdhur 61 miliardë dollarë në infrastrukturën e gjelbër.

Investimet në energjinë diellore dhe të erës, shumica e tyre në Kinë, do të arrijnë rekorde globale. Të frikësuar nga lojërat e pushtetit nga Moska, vendet baltike do të shkëpusin rrjetet e tyre nga ato të Rusisë, për t’i bashkuar me ato të Europës Qendrore. Tesla dhe prodhuesit e tjerë të makinave do të ndërtojnë rrjete karikimi. India do të ndërtojë autostrada.

ÇFARË DUHET PASUR PARASYSH: Pas më shumë se një dekade, nisma kineze “Rruga e Mëndafshit” ka nevojë për një vrull të ri. Investimet në Afrikë kanë rënë,

Pakistani është i mbingarkuar me borxhe dhe Italia dëshiron të tërhiqet. Në vitin 2024, Kina do të jetë sërish burimi i dytë më i madh i Investimeve të Huaja Direkte, pas Amerikës. Por ajo do të shqyrtojë projektet e nismës “Rruga e Mëndafshit” me më shumë kujdes.

PO NËSE?

A mund të bëhet juani kinez monedha mbizotëruese në botë? Pavarësisht përpjekjeve të Kinës për të nxitur përdorimin e saj për tregtinë dhe pagesat ndërkombëtare, kjo është dukur prej kohësh një perspektivë e largët. Pjesa e juanit në financimin e tregtisë globale është vetëm 5%, ndërsa dollari amerikan përbën 85% të rezervave të këmbimit valutor.

Natyra e pakonvertueshme e juanit është një pengesë e madhe. Megjithatë, duke filluar nga janari i vitit 2024, ai mund të bëhet më popullor, ndërsa grupi BRICS (Brazili, Rusia, India, Kina dhe Afrika e Jugut), do të bëhet BRICS+ (duke shtuar Argjentinën, Egjiptin, Etiopinë, Iranin, Arabinë Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe).

Po sikur grupi BRICS+ të fillonte të përdorte monedhën juan për tregti? Anëtarët e tij kontrollojnë 25% të të gjitha eksporteve dhe 42% të tregtisë së naftës. Është e vërtetë se shumica e vendeve anëtare në BRICS, mbështeten te Dollari, disa edhe i kanë lidhur monedhat vendase me të. Por Brazili dhe Rusia tashmë kryejnë transaksione me Kinën në juanë.

Irani i anashkalon sanksionet, duke i shitur Kinës naftë në juan. Argjentina ka shlyer borxhin e FMN-së, duke përdorur shkëmbimet në juan. Nëse, në vitin 2024, Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe do të binin dakord të kryenin tregtinë e naftës në juan brenda grupit BRICS+ dhe Brazili do ta miratonte atë për tregtimin me Argjentinën, mbizotërimi i Dollarit do të dobësohej.

Teknologjia e informacionit

Pas disa vitesh të ngadalta, shpenzimet globale do të rriten në vitin 2024, me pothuajse 9%, sipas firmës së konsulencës Gartner. Shpenzimet për pajisje po ashtu do të rriten.

Dërgesat e kompjuterëve personalë do të rriten në 261 milionë, por duke mbetur nën shifrën e vitit 2019. Inteligjenca Artificiale do të jetë kryefjala në fushën e teknologjisë. Bizneset do të përdorin Inteligjencën Artificiale dhe teknologji të tjera për të rritur produktivitetin, për të ulur kostot dhe për të përballuar rreziqet. Por Inteligjenca Artificiale nuk do të sjellë aq të ardhura sa shpresojnë përkrahësit e saj

BE-ja do të përforcojë statusin si rregullatori global i teknologjisë kur Akti i Tregjeve Dixhitale të hyjë në fuqi të plotë në vitin 2024. Legjislacioni për Inteligjencën Artificiale do të hyjë në fuqi dhe rregullatorët do të përpiqen të vendosin kontrolle mbi robotët.

Algoritmet do të rrisin shqetësimet për keqinformimin dhe sigurinë kibernetike dhe rregullatorët e BE-së do të përgjigjen sërish ndaj këtyre shqetësimeve.

Deri në tetor, anëtarët e bllokut duhet të respektojnë një direktivë për të shmangur keqbërësit kibernetikë. Ndërkohë, Banka Qendrore Europiane do të vërë në provë qëndrueshmërinë kibernetike të bankave kryesore, mes kohërave të pasigurta ekonomike.

Përparimet teknologjike do të nxisin kërkesën për gjysmëpërçues më të përparuar, edhe pse teprica e furnizimit ndikon në pajisje si çipat e memories (kryesisht të përdorura në elektronikën e konsumit).

Qeveritë perëndimore do të përdorin subvencione për të joshur prodhuesit e gjysmëpërçuesve në brigjet e tyre dhe për të luftuar mbizotërimin e Kinës. Priten shqetësime në lidhje me mungesën e fuqisë punëtore dhe hapjen e vonuar të fabrikave.

Për shembull, është shtyrë hapja e fabrikës së parë amerikane të prodhimit të çipave nga TSMC, e planifikuar fillimisht për vitin 2024, por tani është lënë për vitin 2025. Riinxhinierimi i zinxhirëve të furnizimit për qëllime gjeopolitike mund të nxisë risinë teknologjike.

Media dhe argëtimi

Pritet që të ardhurat globale nga reklamat, të rimëkëmben pas një viti zhgënjyes 2023. Gjiganti mediatik Dentsu parashikon një zgjerim prej gati 5% në vitin 2024, duke arritur në 762.5 miliardë dollarë, falë eventeve si zgjedhjet presidenciale të Amerikës, Lojërat Olimpike të Parisit dhe Kampionati Europian i Futbollit 2024. Reklamimi dixhital do të përbëjë pothuajse gjysmën e këtyre shpenzimeve.

Ndërsa reklamat dixhitale rriten, shqetësimet për privatësinë do të theksohen. Në vitin 2024, Google do të ndjekë shembullin e Apple duke bllokuar cookies për palët e treta. Rregullatorët do ta drejtojnë zemërimin drejt reklamave dixhitale të Google, për shkak të mbizotërimit të tyre në internet.

Ndërsa krijohen telashe në BE, një tjetër çështje federale antitrust do të shkojë në gjykatat e Amerikës. Megjithëse zyrtarët amerikanë shpesh favorizojnë vetërregullimin, ata gjithashtu mund të ndërhyjnë për të kufizuar përdorimin e Inteligjencës Artificiale në reklamat politike gjatë një viti zgjedhor, duke synuar të frenojnë përhapjen e informacioneve të rreme.

Përmbajtja e krijuar nga Inteligjenca Artificiale do të shqetësojë edhe Hollywood-in. Shqetësimet për konkurrencën me robotët, nxitën greva nga shkrimtarët dhe aktorët. Këto mund të shkaktojnë vonesa në publikimin e filmave të njohur si “Mission Impossible: Dead Reckoning Part Two”.

Nga ana tjetër, shërbimet e transmetimit do të luftojnë për të rritur abonimet. Disney+ do të ndalojë abonentët të ndajnë fjalëkalime, duke imituar Netflix. Ai do të marrë përsipër Hulu-n, një tjetër shërbim transmetimi, sipas një marrëveshjeje të vitit 2019. Mbetet për t’u parë nëse kjo blerje do të jetë fitimprurëse për Disney+.

Metalet dhe minierat

Megjithëse shumë çmime të mallrave bujqësore do të bien në vitin 2024, shumica e metaleve do të bëhen më të shtrenjta. Çmimi i bakrit do të rritet, pasi investimet e gjelbra dhe ekonomia dixhitale do të nxisin kërkesën për kabllo elektrike dhe bateri. Çmimet e aluminit do të rriten nga firmat aziatike të ndërtimit dhe prodhuesit e makinave.

Çmimet e çelikut gjithashtu do të rriten, por do të mbeten 36% nën kulmin e vitit 2021. Ari dhe platini do të rriten gjithashtu në çmim, ndërsa investitorët kërkojnë strehë të sigurta dhe rritjet e normave të interesit ndalen.

Kjo nuk do të thotë se do të rritet çmimi i çdo metali. Nikeli dhe zinku arritën kulmin në vitin 2022. Prodhimi i madh i këtyre metaleve në Indonezi dhe Kinë do të ulë çmimet e tyre.

Çmimi i plumbit do të bjerë për shkak të largimit nga automjetet me benzinë dhe naftë. Tregjet e litiumit mund të arrijnë tepricë pasi Zimbabve, që ka rezerva të mëdha, mund të rrisë prodhimin.

Çmimet e qymyrit do të ulen ndërsa kriza energjetike e shkaktuar nga Rusia është zbutur. Prodhuesit e çelikut dhe aluminit do të përballen me tarifa të reja sipas mekanizmit të rregullimit të emetimit të karbonit të BE-së.

Europa dhe Amerika do të përpiqen të frenojnë Kinën që të mbizotërojë botën në përpunimin e mineraleve të nevojshme për energji të pastër. Kjo mund të nënkuptojë investimin në miniera kudo, nga Australia në Kili. Angola dhe Botsvana do të bashkëpunojnë për nxjerrjen e diamanteve.

ÇFARË DUHET PASUR PARASYSH: Minierat. Autoriteti Ndërkombëtar i OKB-së po i lejon kompanitë të bëjnë oferta për licenca për të minuar shtratin e detit, edhe përpara se të finalizojnë rregullat për të qeverisur veprimtaritë e tyre. Kanadaja, Norvegjia, Japonia dhe Koreja e Jugut janë ndër vendet që dëshirojnë të fillojnë të eksplorojnë për minerale kritike në vitin 2024, duke shpërfillur protestat e ambientalistëve.

Pronat

Investitorët në pronat komerciale përballen me vështirësi në vitin 2024, pasi normat e larta të interesit dhe modelet e ndryshuara të punës, po dëmtojnë kërkesën.

Ndërkohë që afërsisht 60% e kompanive amerikane po lejojnë punën nga shtëpia, rreth një e pesta e zyrave do të qëndrojnë bosh, duke arritur një kulm të ri.

Niveli i vendeve të lira të zyrave do të rritet në 15% në Kanada, por vetëm 8% në BE, e cila ka më pak punë hibride. Tregu i pronave në Kinë do të qëndrojë i lëkundur, pavarësisht mbështetjes së qeverisë. Pjesa tjetër e Azisë do të përjetojë një rimëkëmbje të vështirë.

Ngadalësimi i ofertës do të rrisë çmimet në disa vende, pasi projektet po vonohen ose anulohen. Rrethet kryesore të biznesit do të jenë edhe më të kërkuara dhe ndërtesat ekologjike do të jenë më popullore.

Kërkesa për magazinim dhe fabrikim do të rritet. Në fund të vitit 2024, ndërsa normat e interesit fillojnë të bien, investitorët do t’i rikthehen tregut të pronave.

Britania do të përpiqet të tërheqë investime në pasuri të paluajtshme. Problemet në tregun e pronave në Kinë do t’i dërgojnë blerësit në Dubai ose Australi.

Disa zyra dhe dyqane të vjetruara do të shndërrohen në banesa, me lehtësimin e rregulloreve. Megjithatë, normat e larta të hipotekave dhe banesat e reja të pakta do ta bëjnë të vështirë gjuetinë e pronave.

Çmimet e shtëpive, pasi u rritën nga Covid-19, do të bien në pjesën më të madhe të Europës, por do të qëndrojnë ende të larta në Amerikë. Blerësit do ta kenë më të lirë të marrin me qira në Amerikë, por jo në Londër, pavarësisht përpjekjeve të qeverisë për të përmirësuar të drejtat e qiramarrësve. Disa qytete do të shtojnë kufizimet për qiratë afatshkurtra.

Shitja me pakicë

Zbehja e inflacionit do të bëjë që shitjet me pakicë të rriten me 2% në terma realë në vitin 2024, rreth dy herë më shpejt se në vitin 2023. Por konsumatorët do të vuajnë nga normat e larta të interesit, ulja e kursimeve të familjeve dhe mosshlyerja e borxheve.

Kështu, tregjet perëndimore të shitjes me pakicë do të jenë përsëri të buta. Pas dy vitesh tkurrjeje, Britania dhe Gjermania do të kenë një rimëkëmbje të ngadaltë. Amerika do të pësojë një tjetër vit të plogësht.

Edhe Kina, tregu i dytë më i madh i shitjes me pakicë në botë, do të rritet me vetëm 4%, krahasuar me 7% para Covid-19. Fajtor këtu është tregu i lëkundur kinez i pronave dhe mungesa e vendeve të punës për të rinjtë.

Shitësit me pakicë, të etur për të kapur konsumatorët aziatikë, do të zhvendosen në Azinë Juglindore, ku Malajzia, Tajlanda dhe Vietnami do të jenë ndër destinacionet kryesore.

Këtu do të ndihmojë edhe përhapja e tregtisë elektronike në vendet në zhvillim, si pasojë e pandemisë. Shkalla më e shpejtë e rritjes së shitjeve online do të vihet re në Indi, ku politikëbërësit po promovojnë teknologjitë financiare dhe forma të tjera të dixhitalizimit.

ÇFARË DUHET PASUR PARASYSH: Ndërsa dyqanet fizike të shitjes me pakicë po mbyllen gjithnjë e më tepër, një shitës “i modës së vjetër” do të kundërshtojë këtë prirje.

Aldi, një rrjet gjerman supermarketesh, do të zgjerohet në mënyrë të vrullshme. Në gjysmën e parë të vitit 2024, ai do të mbyllë një marrëveshje për të blerë 400 dyqane në juglindje të Amerikës.

Tani për tani, pjesa e Aldi-t në tregun amerikan të ushqimeve, është vetëm 2%. Por ai shpreson se produktet e veta të lira do të jenë tërheqëse për konsumatorët në këtë kohë inflacioni.

Sport

Parisi do të mirëpresë për herë të tretë në histori, Lojërat Olimpike, në verën e vitit 2024. Pas një ceremonie hapjeje në lumin Senë, ngjarjet olimpike dhe paraolimpike do të mbahen në monumentet kyçe të Francës, nga Versaja, në Kullën Eifel.

Breakdancing do të bëjë debutimin si një sport olimpik në sheshin kryesor parisien Place de la Concorde. Pavarësisht ligjeve të rrepta rregullatore të dhënies me qira, parisienët pritet të japin ambientet me qira për mbi 1 milion vizitorë.

Ngjarje të tjera sportive do të jenë në garë për vëmendje. Gjashtë javë para Lojërave Olimpike në Paris, në Gjermani do të mbahet në qershor Kampionati Europian i Futbollit 2024.

Por Lojërat Afrikane në Ganë, që janë shtyrë për një vit, do të garojnë drejtpërdrejt me Lojërat Olimpike në gusht. Copa America do të mbahet në Shtetet e Bashkuara, pasi Ekuadori u tërhoq nga gara si organizator, për arsye sigurie.

Kupa e Kombeve të Afrikës do të zhvillohet në Bregun e Fildishtë dhe Kupa e Amerikës do të lundrojë në brigjet spanjolle pranë Barcelonës.

Ngjarjet sportive të femrave do të marrin vrull. Çiklistet do të pedalojnë për herë të tretë në Tour de France për femra. Dhe ndërkohë që Amerika do të mbajë Kupën Botërore në sportin kriket për meshkuj, Bangladeshi do të organizojë versionin për femra. Aty do të marrë pjesë për herë të parë një lojtare transgjinore. Në të kundërt, në Lojërat Olimpike e kanë të ndaluar të marrin pjesë gratë transeksuale me nivele të larta testosteroni.

Telekomunikacion

Në vitin 2024, rrjeti 5G do të bëhet teknologjia celulare mbizotëruese në Kinë, sipas disa parashikimeve. Por 5G do të shtrihet vetëm në 20% të globit.

Ericsson, që ndërton infrastrukturën e telekomunikacionit, parashikon që një e katërta e popullsisë së botës, do të ketë ende mungesë qasjeje gjithëpërfshirëse në internet në vitin 2024.

Pasi ndihmoi përpjekjet e Ukrainës për të qëndruar e lidhur me rrjetin gjatë luftës, Elon Musk shpreson të marrë miratimin për të zgjeruar mbulimin e shërbimit të tij satelitor të internetit Starlink, në Indonezi, në vitin 2024. Kjo do të përmirësonte qasjen dhe shpejtësinë e internetit në një vend me një nga shpejtësitë më të ulëta të internetit në Azi.

Një tjetër miliarder i teknologjisë, Jeff Bezos, mbështet Projektin Kuiper, që planifikon të vendosë satelitët e tij të parë komercialë në hapësirë, në vitin 2024. Jo të gjitha qeveritë do të pranojnë mbizotërimin amerikan në qiej: Kina, BE-ja dhe Rusia do të lëshojnë satelitët e tyre.

Përhapja e lidhjes së internetit do të ndihmojë tregun global të telefonave inteligjentë. Samsung dhe Apple do të mbeten kompanitë më të mëdha të telefonave inteligjentë, por Transsion i Kinës (pronar i markave Tecno, Itel dhe Infinix), do të depërtojë në pesëshen e parë, sipas parashikimeve.

ÇFARË DUHET PASUR PARASYSH: Kufjet e realitetit virtual Vision Pro, të prodhuara nga Apple, më në fund do të dalin në shitje në vitin 2024. Me një çmim 3,499 dollarë, ato do të jenë shumë më të shtrenjta se produkti konkurrues i kompanisë Meta, Quest 3, që kushton 499 dollarë. Por Apple pritet të nxjerrë versione më të lira në të ardhmen.

Udhëtimi dhe turizmi

Industria e udhëtimeve shpreson për kohë më të ndritshme në vitin 2024. Për të shmangur zjarret dhe nxehtësinë rekord, më shumë udhëtarë pa fëmijë do të refuzojnë udhëtimet verore.

Linjat ajrore do të ndryshojnë oraret për t’u përshtatur me këtë prirje të re. Mbërritjet ndërkombëtare të turizmit, që arrijnë në 1.8 miliardë, do të rriten, pothuajse në nivelet e vitit 2019, pavarësisht nga kujdesi i udhëtarëve kinezë, mes shqetësimeve gjeopolitike dhe ekonomike në shumë pjesë të botës.

Megjithatë, shpenzimet ndërkombëtare të turizmit do të arrijnë një rekord prej 1.5 trilionë dollarësh, të nxitura nga çmimet më të larta. Do të shtohen fluturimet e brendshme dhe udhëtimet ajrore do të arrijnë nivelet para pandemike. Fitimet do të mbeten të larta. Kompanitë ajrore do të rrisin numrin e avionëve të rinj.

Air New Zealand do të ofrojë minidhoma gjumi në klasin ekonomik. Udhëtarët që kërkojnë risi mund të vizitojnë hotelin më të lartë në botë, në Dubai, ose një hotel 3D në Teksas. Megjithatë, çmimet më të larta do të ulin normat e rezervimit në hotele.

ÇFARË DUHET PASUR PARASYSH: Duke filluar nga fundi i vitit 2024, udhëtarët në zonën Shengen të BE-së duhet të paguajnë paraprakisht një tarifë vize prej 7 eurosh (8 dollarë), e vlefshme për tre vjet. Qëllimi është marrja e të dhënave për të përmirësuar sigurinë. Tarifa do të zbatohet për 1.4 miliardë udhëtarë të mundshëm nga 60 shtete, një shqetësim i madh për turistët./Përktheu: Lira Muça

Burimi.Monitor.al

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *