Nënkryetari i Komisionit të Ekonomisë, Eno Bozdo, ka kërkuar transparencë të plotë lidhur me parkun Durana, duke e cilësuar atë si një nga rastet më të rënda të evazionit fiskal. Në një deklaratë për shtyp, Bozdo theksoi se skema është konceptuar dhe zbatuar nga vetë qeveria, e cila sipas tij ka përzgjedhur kompanitë përfituese dhe ka kanalizuar fondet publike drejt tyre.
Ai kërkoi që të bëhen publike emrat e kompanive të regjistruara në park, pronarët e tyre, si dhe përjashtimet fiskale që këto subjekte kanë përfituar. Sipas Bozdos, transparenca mbi modelin e funksionimit dhe përputhshmërinë me legjislacionin është thelbësore për të sqaruar opinionin publik mbi këtë çështje.
“Qeveria përzgjedh kompanitë dhe implementon skemën. Në këtë mënyrë, paratë e shqiptarëve grabiten dhe transferohen te kompani të caktuara”, u shpreh Bozdo, duke shtuar se rasti i Duranës përfaqëson një model që Bashkimi Europian e ka luftuar prej vitesh.
Sipas tij, kjo çështje kërkon hetim dhe llogaridhënie, pasi bëhet fjalë për përdorim të fondeve publike dhe përjashtime fiskale që dëmtojnë interesin e përgjithshëm.

