Nga Islam Lauka

Gjatë fushatës elektorale, Donald Trump pati deklaruar se, po të ishte ai në pushtet, nuk do të kishte filluar konflikti Rusi–Ukrainë dhe se, me t’u kthyer në Shtëpinë e Bardhë, ai do t’i jepte fund luftës.

Që atëherë, ekzistonte frika se Trumpi, duke shfrytëzuar autoritetin që të jep posti i presidentit të vendit më të fuqishëm në botë, mund t’i jepte fund luftës, por në favor të Rusisë autoritare dhe në dëm të Ukrainës demokratike. Zbulimi, këto ditë, i disa prej elementeve të planit amerikan të “paqes” çon në përfundimin se kjo frikë nuk ishte pa bazë.

Cilat janë elementët themelorë të këtij plani?

1. Ukraina duhet të heqë dorë nga përpjekjet për rikthimin në kufijtë e saj të vitit 2014.

2. Ukraina duhet të heqë dorë nga aspirata për anëtarësimin në NATO.

3. Pjesë e bisedimeve për paqe me Putinin është tërheqja e trupave amerikane nga Evropa.

4. Evropa duhet të marrë përsipër garancitë e sigurisë për Ukrainën e mbetur pas përfundimit të konfliktit.

5. Evropa duhet të marrë përsipër shpenzimet për rindërtimin e Ukrainës.

Nëse i kthehemi ultimatumit të presidentit rus, V. Putin, në dhjetor 2021, të refuzuar nga SHBA, NATO dhe Perëndimi në përgjithësi, rezulton se plani i Donald Trumpit, natyrisht, nëse realizohet, do të përbënte një kapitullim të plotë para Moskës. Ultimatumi rus kërkonte që t’i jepej fund zgjerimit të NATO-s në lindje, duke përjashtuar anëtarësimin e Ukrainës; që infrastruktura e NATO-s të largohej nga kufiri rus (kupto: trupat dhe armatimi amerikan); që të krijohej një arkitekturë e re e sigurisë evropiane, pa NATO-n. Pra, të gjitha kërkesat putiniste duket se merren në konsideratë nga plani i Trumpit.

Cilat janë sot kërkesat e Ukrainës për dhënien fund të konfliktit?

Me dhimbje, por nisur edhe nga situata e vështirë në frontin e luftës, presidenti Zelensky pranoi se mund të diskutohet për vendosjen e armëpushimit duke respektuar vijat e tanishme të frontit, por duke plotësuar këto kushte:

1. Garanci për pjesën e mbetur të Ukrainës, në mënyrë që Rusia të mos e shfrytëzojë armëpushimin për një sulm tjetër, për t’i dhënë fund pavarësisë dhe sovranitetit të saj.

2. Pjesë e kësaj garancie duhet të jetë anëtarësimi i Ukrainës në NATO dhe, në perspektivë, në BE.

3. Vazhdimi i ndihmës ushtarake për Kievin.

4. Ndihma financiare për rindërtimin e vendit.

5. Gjetja e modaliteteve për dhënien e llogarisë nga Rusia lidhur me agresionin e paprovokuar kundër Ukrainës.

Plani i Trumpit për “paqen” dëshmon se, ndryshe nga sa veproi me ultimatumin e Kremlinit, Uashingtoni nuk merr në konsideratë asnjë kërkesë të Kievit: përjashton rikthimin e Ukrainës në territoret e saj të mëparshme; përjashton anëtarësimin e saj në NATO; përjashton veten nga garancitë e sigurisë për pjesën e mbetur të Ukrainës.

Thënë shkurt, realizimi i planit të Donald Trumpit do të çonte në braktisjen e Ukrainës si viktimë e agresionit rus dhe në përqafimin e Putinit si agresor i saj.

Braktisja e Ukrainës do të ishte, në thelb, braktisje e vlerave të lirisë, atyre vlerave pas të cilave popujt e botës, veçanërisht ne shqiptarët, jemi mësuar të shohim shpesh Amerikën – vlera që i kanë dhënë fuqinë e vërtetë SHBA-së, krahas asaj ushtarake dhe ekonomike.

Braktisja e Ukrainës do të shpërblente Rusinë agresive dhe do të legjitimonte luftën si mjet për rrëmbimin e territoreve nga fqinjët apo të tjerët, si dhe do të kthente forcën, presionin dhe shtrëngimin në instrumente për ndryshimin e sjelljes së shteteve të tjera, për t’i kthyer në vasalë të të fortit.

Asgjë nuk do ta pengonte nesër Putinin që, pas armëpushimit, të niste një sulm të ri ndaj Ukrainës, tashmë nga territori i pushtuar i saj, për t’u ndalur nuk dihet se ku. Sepse plani i “paqes” së Trumpit i legalizon veprimet e tij agresive.

Reagimet e para ndaj këtij plani, përgjithësisht, janë të rezervuara ose refuzuese. Evropa po kërkon që të mos braktiset Ukraina. Këtë qëndrim shprehën shefja e BE-së, Ursula von der Leyen, presidenti francez, Macron, dhe kancelari gjerman, Scholz. Kryeministri britanik, Starmer, shkoi edhe më tej, duke kërkuar që të mbahet premtimi për anëtarësimin e Kievit në NATO. Pra, ajo që po kërkohet është rezistenca ndaj politikave transaksionale dhe autoritare të Trumpit, i cili, nëpërmjet “ujdisë” me Putinin lidhur me Ukrainën, kërkon ta tërheqë atë në anën e tij ose, të paktën, ta neutralizojë në ballafaqimin eventual me kundërshtarin e tij afatgjatë – Kinën.

Është ende herët për të gjykuar se si do të jetë fati i këtij plani dhe si do të reagohet në SHBA, në NATO, BE apo edhe në vende të tjera të botës. Rezistenca e vendeve arabe ndaj projektit racist të Trumpit për pastrimin etnik të palestinezëve nga Gaza dhe kthimin e saj në një resort turistik bëri që, të paktën për momentin, Uashingtoni të tërhiqet. A do të tërhiqet presidenti Trump nga plani i “paqes” për Ukrainën? Mbetet për t’u parë.

Urojmë që politikat autoritare të presidentit amerikan të mos na prekin ne shqiptarët, megjithatë, gjasat janë të vogla ose inekzistente. Në këtë kontekst, ne duhet të përgatitemi për rezistencë ndaj tyre. Sepse tërheqja e trupave amerikane nga Evropa nënkupton edhe Kosovën – trupat amerikane në KFOR dhe bazën ushtarake në Bondsteel. Nuk përjashtohet as rikthimi i tezës së rrezikshme për ndarjen e territoreve midis Kosovës dhe Serbisë. Ashtu siç përqafoi autokratin rus Putin, Trumpi mund të përqafojë edhe autokratin serb Vuçiç, në dëm të Kosovës demokratike.

Çfarë duhet të bëjmë ne?

Të dorëzohemi? Apo t’i servilosemi Trumpit për të mos larguar trupat amerikane nga Kosova ose për të mos mbështetur Vuçiçin? Asnjëra nuk bën punë. Sepse qëndrimet e tij përcaktohen nga interesat amerikane dhe të rrethit të tij të ngushtë, jo nga qëndrimet tona.

Ajo që mund dhe duhet të bëjmë ne është:

• Të lëmë mënjanë interesat partiake dhe të bashkohemi si faktorë politikë e shoqërorë, në Kosovë, Shqipëri dhe si komb në përgjithësi.

• Të forcojmë mbrojtjen e Kosovës, duke rritur kapacitetet ushtarake me armatim dhe teknologji të reja.

• Të punojmë me ata anëtarë të NATO-s që janë të gatshëm t’i ofrojnë mbrojtje dhe siguri Kosovës, në rast të largimit të trupave amerikane.

By Editor