Triumfi i Idealit është prova më e mirë e vitalitetit shoqëror të një populli. Ideali, njeriun që është prej natyre partikularist dhe egoist, e shndërron në qenje vetëmohuese dhe guximtare, në një altruist. Ideali, nga “krijesa” e ndyrë e fuqive natyrore, sipas fjalës së Schiller-it, krijon “njeriun e estetikës, njeriun artist.”

Ideali, njeriut ia falë mbrojtjen materiale dhe lumturinë shpirtërore. Atje ku ka ideal, atje buzëqeshë bukuria e jetës dhe agimi i shpresës. Atje ku ka ideal, hieja e së ligës ikën për vende të largëta dhe mendimi i vetëvrasjes së një shoqërie shuhet tërësisht. Ideali e ndritë shpirtin, shpërndanë shpresë dhe ngushëllim në zemrat e njerëzve, të dëshpëruarin e mban të lidhur në jetë, në idenë e shpëtimit, në lindjen e ringjalljes.

Ushtari trim, trupin e tij e sakrifikon për Flamurin e Atdheut të vet dhe mbronë kufinjtë e tij vetëm atëherë kur shfaqet si Mbrojtës i Idealit të një populli të tërë, simboli i të cilit është skalitur mbi një copë pëlhurë të rreckosur. Edhe njeriu i “egër” që derdhë gjakun për Perëndinë e vet, shkencëtari që humb vehten për përparimin e shkencës dhe për shpikjet, s’janë gjë tjetër veçse njerëz që sakrifikohen për IDEALIN.

Mjerë ata popuj që nuk kanë IDEAL, sepse në shfaqjen e parë të krizës, në fryerjen e parë të rrebeshit, që janë kaq të bollta, kaq të koklavitura dhe, kaq të papritura në jetën e sotme të popujve, do të shkrihen pa patur kohë të psherëtijnë, si një pallat prej letre.

“Përpjekja Shqiptare”, 1929

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *