Një plan i propozuar nga Sekretarja e Brendshme britanike, Suela Breverman, pritet t’i hapë rrugë procesit të deportimit të azilkërkuesve që vijnë nga vende të ashtuquajtura të sigurta. Ky plan i propozuar nga zyrtarja e lartë britanike, krahas deportimit të azilkërkuesve të shumtë që kanë zbarkuar në rrugë ilegale në Mbretërinë e Bashkuar, synon njëkohësisht dhe pamundësimin e kërkesave për azil nga shtetas që vijnë nga këto vende të sigurta. Një nga pikat e këtij plani të ri pritet të jetë dhe ajo që parashikon refuzimin e kërkesës për apelim ndaj refuzimit të kërkesës fillestare për azil nga shtetesit me origjinë nga vendet e sigurta.
Në listën e vendeve të sigurta, krahas shumë shteteve bën pjesë dhe Shqipëria. Hyrja në fuqi e këtij plani pritet të sjellë një fushatë deportimi masiv të azilkërkuesve nga vendet e sigurta, përfshirë dhe ata shqiptarë. Ishin pikërisht zbarkimet ilegale të emigrantëve në korridorin detar franko-britanik ato që nxitën një debat të madh publik në të cilin qeveria e kryeministrit të ri, Rishi Sunak, u gjend nën presion për të frenuar atë që u quajt “Pushtimi’ i Britanisë së Madhe nga vala e paprecedent e zbarkimit të emigrantëve të paligjshëm.