Britania e Madhe ka përkrahur marrëveshjen e arritur mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian për zbatimin e ligjit për të huajt, duke e cilësuar si një hap të rëndësishëm për funksionimin normal të jetës së qytetarëve.

Marrëveshja u bë publike pas takimit mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe të dërguarit të posaçëm për dialogun Kosovë–Serbi, Peter Sorensen. Sipas saj, Qeveria e Kosovës është pajtuar që t’u japë leje të përkohshme qëndrimi pjesëtarëve të komunitetit serb që nuk kanë dokumente të Kosovës, si dhe të njohë letërnjoftimet e tyre.

Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Jonathan Hargreaves, theksoi se kjo marrëveshje respekton ligjet e Kosovës dhe njëkohësisht ofron zgjidhje praktike që u mundësojnë të gjitha komuniteteve të jetojnë, punojnë dhe të arsimohen pa ndërprerje.

Ligji për të huajt dhe ai për automjetet kanë hyrë në zbatim të plotë më 15 mars, duke kërkuar që personat pa dokumente të Kosovës të pajisen me leje qëndrimi, ndërsa automjetet me targa të huaja të kenë kufizime në qarkullim.

Megjithatë, pas vendimit të 14 marsit, përkohësisht është bërë përjashtim për pjesëtarët e komunitetit serb, të cilët mund të marrin leje qëndrimi deri në 12 muaj dhe të përdorin dokumentet e lëshuara nga autoritetet serbe si mjet identifikimi.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *