E përditshmja britanike “The Guardian” shigjetoi direkt Aleksandër Vuçiçin si rrezikun më të madh për rajonin e Ballkanit pas akuzave të ndërkombëtarëve se zgjedhjet në Serbi u manipuluan.
“The Guardian” u referohet raporteve të vëzhguesve të huaj për parregullsi dhe kushte të pabarabarta gare, ndërkohë që thekson se Bashkimi Evropian ende vijon të mos ketë reagimin e duhur lidhur me këto parregullsi.
Gazeta britanike vijon duke nënvizuar se presidenti serb po përdor kartat e Sllobodan Millosheviçit duke shmangur vëmendjen nga manipulimi i zgjedhjeve me anë të kërcënimeve për destabilizimin e rajonit.
“Një nacionalist autokrat, instinktet politike të të cilit u farkëtuan në epokën e Millosheviçit. Vuçiç përdor fuqinë dhe ndikimin e tij për të nxitur mosmarrëveshje në Ballkanin Perëndimor, ku fushatat secesioniste serbe etnike mbështeten nga Beogradi. Por ambicia për ta tërhequr Serbinë brenda orbitës së BE-së – dhe larg ndikimit rus – ka zbutur kritikat perëndimore në një shkallë komprometuese, veçanërisht që nga pushtimi i Ukrainës.” -shkruan “The Guardian”.