Nga Arbër Zaimi
Budallallëku e injoranca gjithmonë janë përdorur si armë në dorën e manipuluesve. Por sot teknologjia ka mundësuar që këto të jenë armë shkatërrimi masiv. Paraqiten herë si reality shows ku të ashtuquajturit “vipa” të kulturës së ulët popullarizojnë intrigën e banalitetin si mjet për të arritur diçka – herë si evenimente snobe e shterpë ku të ashtuquajturit “artistë” e “analistë” të kulturës mendjemadhe e paketojnë konformizmin që i shërben agjendave të sponsorëve kinse si “emancipim e thyerje tabush”. Ndonjëherë shfaqen edhe si politikë e modës, që e shndërron kopertinën e sipërfaqen në identitet dhe pastaj bën thirrje për “identitarizim” të politikës, pra kërkon sovranitet të cektësisë dhe harrim të plotë të esencave.
Çështja është se kur i lufton budallallëkun e injorancën me mjetet e tyre ato vetëm forcohen, sepse fitojnë vëmendje, lajka, reach.
Arma më e mirë përballë tyre është indiferenca e përditshme ndaj hapësirave e mjeteve ku ato gjallojnë. Dhe leximi e kritika kuptimore, thellimi atje ku për ato s’ka vend.