Nga Lekë Ndoja
Azem Shkreli është një nga poetët tanë më të popullarizuar. Lindur në malësitë e Rugovës, mbas shkollimit u vendos në Prishtinë ku ra në kontakt shpejt me poezinë e Martin Camajt të botuar në fillim vitet ’50 në Kosovë, me të cilin ruajti edhe lidhje gjatë gjithë jetës. Nën ndikimin e tij përpunoi motivet lirike të vendosura në topografinë e malësisë së Rugovës. Në poezinë e tij Guri i Martinit, ai shpreh drejtimin e tij dhe mësuesin duke pohuar; “Fëmijë të kërkoja me “Një fyell ndër male”.
Konteksti
Poezia e Azem Shkrelit në fillimet e tij ishte një poezi lirike bukolike, ku natyra dhe zakonet zinin një vend qendror në motivet e poezisë. Me kalimin e kohës poezia e tij u bë sociale duke marrë ngjyrime të kontrastit të urbanizmit me ballafaqimin e njeriut të malësisë me socialitetin e qytetit – duke thirrur në skenë nostalgjinë për thjeshtësinë e jetës baritore, të lidhur ngushtë me natyrën. Motive qe i krijonin shpesh paradokse nga poetet e tjere – nise nga statura e tij si administrator i teatrit ne Prishtine.
Motivet idilike të Camajt nuk qenë të vetmet ndikime që pati ky poet në Kosovë në vitet ’50 – ’60 të sh. XX. Motivet e fillimeve të tij u përpunuan më tej me realizimin e librit të vitit 1970 “E kam një fjalë prej guri”, ku format e vargjeve klasike ndërthuren me motive mikrosociale. Duke i dhënë përparësi formës klasike dhe mendimit të racionalizuar ai në këtë periudhë të krijimtarisë u shënua nga poezia me motive bukolike. Fjala e zgjedhur tashmë u pasurua me fjalë të urta të origjinës, si kujtesë e kërcënuar nga realiteti i ri i kryeqytetit.
Ruajtja e identitetit
Identiteti malësor si përkatësi etike u përcoll në 5 dekada në poezinë e Azem Shkrelit. Por si i njohur si tradicionalist, Shkreli në rrugëtimin e tij artistik dhe etik erdhi duke u përshtatur me kontekstin socio-politik, të ndryshuar në Kosovën e viteve ’70 – ’80. Vetëm në librat e fundit sidomos në atë “Lirikë me shi”, ai sikur i shmanget grupit social të cilin e adhuroi dhe e tematizoi.
Në vëllimin “Lirikë me shi”, identiteti i ruajtur shfrytëzohet si burim etik si rrugëdalje për ngadhnjimin nacional. Këtu krahasimet mes ilirëve dhe të ardhurve (sllavëve) bëhet tematikë qendrore në librin e Azem Shkrelit. Rrugëtimi i tij i i besimeve të epokës të antifashizmit që pati lëvruar në romanin “Karvani i bardhë”, dhe i bashkëjetesës së popujve në Jugosllavi përfundon në këtë libër. Tashmë e drejta historike e ilirëve vihet ne funksion si atu kombëtare. Gjithsesi ai në lirikën “Motiv i hershëm” evokon fillimet e tij “Një sutë më jep qumësht bukolik nga gjiri”.
Duke thirrur gjakun në shumicën e vargjeve të tij, ai bëhet antipod i Martin Camajt, ai nuk e kërkon kodin e Lek Dukagjinit për dekor të poezisë por kërkon në të motivin për zgjim kombëtar dhe karakterin kryengritës. Mendimi i etnosit kështu bashkohet me atë të receptuesve dhe fjalët e urta i shërbejnë jo për folklor por për thirrje të kujtesës luftarake. Ai bëhet zëdhënës i nacionalizmit duke zhvilluar në epilogun e jetës përpjekjet për një lirikë militante duke kritikuar “Rezistencën pasive” që zhvillohej në Kosovë.
Lirika e mendimit dhe gjaku
Mbas vitit 1981 poezia e Shkrelit bëhet lirikë e mendimit duke reflektuar evoluimin social dhe thirrjes së lëvizjes kombëtare që u kthye në imperativ të poetëve shqiptarë. Në këtë lëvizje u përfshinë shumica e poetëve por u ndanë në dy grupe – grupi i atyre që përdorin traditen orale dhe ata të “lëvizjes hermetike” të një mendimi dhe vargu më të stërholluar.
Kështu receptuesit i ndryshuan motivet e poezisë – edhe ne poezite e Shkrelit. Krahas përpunimit të vargut ai u përpoq të ishte tradicionalist, por duke qendruar në shtratin klasik të përpunimit të formës duke ruajtur një ekuilibër mes formalizmit të pastër dhe kodeve etnike, të racës dhe fisit të cilit ai i ka kënduar si formë e antropologjisë simbolike.
Shkreli në anën e formës ndoqi modelet klasike të strofimit dhe masës së vargjeve. Ai u shkëput përgjithësisht nga mikro etnofloklori duke ruajtur vec motivet. Përpunimi i vargut popullor shquhet ne intertekste të qenësishme të origjinës – si atu e ruajtjes së kujtesës. Bashkë me kujtesen ai zbret ne arketipin e etikës së bartur nga kodi i Lek Dukagjinit si promovim e aplikacion për t’iu përshtatur kohes se pragluftes ne Kosoven e viteve 1996-1997. Ne motivet e Kanunit gjente prehje si tek origjina – si proces harrimi i karakterit te multikultures. Shkreli vijoi negocimin e motiveve në shoqërinë ndërkulturore gjate transitimit neper Diasporen ne Europë ku ka shenu disa poezi.
Përpunimi i stërholluar i vargut dhe zgjedhja e fjalës duke ruajtur ngjyrimet e gegënishtes e bënë Shkrelin që të hynte në grupin e shkrimtarëve tradicionalistë – si pjesë e shkollës poetike të Shkodrës që lëvrohej së pari nga Martin Camaj. Por me zhvillimin e poezisë së tij ai kapërceu vetveten – duke njohur simbolistët francezë ai nisi të lëvronte vargun aleksandrin të krahasueshëm me rrymën simboliste dhe kodet hermetike. Duke ruajtur vargun 14 rrokësh tipik për Bodlerin e poezinë franceze ai diti te kompozonte edhe vargun e bardhë me teknikat që bazohen kryesisht te ruajtja e ritmit të brendshëm dhe pak cezura.
Vijimësia e rimimit e shtjell vargëzimin e këtij poeti për të mos u shkëputur nga terreni topografik i malësisë së Rugovës. Duke i dhënë vetes një prioritet të vargjeve folklorike të zonës. Siç e ka vënë në dukje kritika në Prishtinë e Sabri Hamitit – ai shkruante ashtu siç fliste, në një paralelizëm filozofik reflektuar në aspekte të së drejtës së malësisë. Ketu mund te shohim edhe elemente te “Verizmit’ si gjuhe.
Ndërsa konceptet e Kodit Zakonor të Lek Dukagjinit i kanë shërbyer në motivet e poezisë së tij por edhe në bisedat tona kur vinte në Tiranë, në sallën e Lidhjes ose pranë redaksisë së gazetes se Rilindjes – ku na ftonte te uleshim gjithmone – perballe deres pasi e jetonte cdo takim si kuvend te burrave – dhe miku duhesh te shihte “rrezikun perballe” – ndersa ai i drejtonte shpinen deres si i zoti i shtepise.
Aktiviteti i tij si administrator i teatrit i dha shumë karakter dramatik e pozues metaforave të tij. Ne vitet ’90 u përpoq të evidentonte luftën e popullit shqiptar për kërkimin e të drejtave nacionale. Gjithashtu ai u bë i famshëm për poezitë e tij polemizuese mbështetur në kodet shqiptare dhe në raportet politike shihte aspekte të ndryshme të interpretimit të Kodit të Nderit.
Shkreli ishte një poet mjaft produktiv pasi shkroi mbi dhjetë libra poetikë si Bulzat, Engjujt e rrugëve, E di një fjalë prej guri, Nga bibla e heshtjes, Pagëzimi i fjalës, Kënga e hutinit, Nata e papagajve, Sytë e Evës, ka shkruar dhe romanin për të rinj, Karvani i bardhë. Krijimtaria e tij si poetet e brezit të tij Beqir Musliu, Rrahman Deda, Teki Dervishi ka hy në karantinë, ngaqë debati për letërsinë asht automatizu në disa emra – ndersa Prishtina ka humbë shijen letrare të këtij brezi idealist.