Nga Shqiprim Pula

Autoritetet politike të kohës së pasluftës, me pak përjashtime, kishin nevojë për alibi, dhe atë jo vetëm për veten e tyre të përfshirë në procese por edhe për të argumentuar vendimmarrjen në nivelet ndërkombëtare, që ndërlidhej me argumentet e qëndrimeve politike për nevojën e rivendosjes lidhur me statusin juridik-politik të Kosovës. 

Bisedimet e Vjenës rezultuan me pakon gjithëpërfshirëse të Ahtisaarit, si kompromis për mëvetësinë e shumëpritur, por edhe me bisedimet e Brukselit, padyshim mendohej si zgjidhje, njohja nga Serbia dhe anëtarësimi në organizata ndërkombëtare, përfshirë OKB-në. 

Por kjo e gjitha e menduar veç hipotetikisht, referuar gjendjes reale politike. Për aq sa bisedimet e Vjenës dhe të Brukselit kishin për objekt trajtimin e realitetit politik, në esencë rekën edhe aspektin subjektiv atë të ndërgjegjes kombëtare shqiptare. Nga propozimi gjithëpërfshirës i Ahtisaarit na derivoi kushtetuta e cila u arsyetua me ardhmërinë europiane të vendit, duke krijuar “kosovarët” e rinj nga shqiptarët e hershëm. Sistemi politik i krijuar përmes frymës kushtetuese ahtisaariane është që ne të mos mundemi të shprehim atë që ndjejmë e besojmë, por ta shprehim dhe atë që nuk e besojmë: Multietnicitetin! Këtë të fundit na e shërbyen me buzëqeshje kineze.

Kosova është e marrë peng. Kosovës i është marrë peng gjithçka, e para së gjithash integriteti kombëtar, sepse 94 përqind shqiptarë nuk mund të vendosin pa 6 përqind minoritarë. Dhe kjo mendësi politike kushtetueshmërie është antikushtetueshmëri kombëtare shqiptare. Madje, për t’i dhënë kuptim hershmërisë shqiptare edhe arkeologu Francez, Christophe Goddard, pjesë e ekipit të zbulimit të mbishkrimit të Justinianit në Kishën paleokristiane për qytetin Dardan, në Ulpianën e hershme, nga gjykimi i tij theksoi se të gjithë ne në Europë kemi përqindje dardane: “Ne europianët dhe shqiptarët e sotëm, jemi pak si ju dhe ju pak si ne”. 

Frikësimi e terrorizimi politik nga të buzëqeshurit kinez.

Europianët e ndërkombëtarët me buzëqeshjet e tyre kineze vazhdojnë kërkesat për betonizimin e Serbisë brenda Kosovës, përmes Kishës Ortodokse Serbe dhe Bashkësisë së Komunave me shumicë serbe (“Zajednica”), të cilat paraqesin gjymtim për shoqërinë shqiptare, për idealin historik dhe liridashës por edhe për pakicat jo serbe. Kështu i japin pakicës serbe epitet hyjnie (religjioze) dhe epërsie (institucionale). Shikuar në kronologji, dy çështjet; e para, Kisha Ortodokse Serbe u zyrtarizua si kërkesë gjatë bisedimeve të Vjenës me dakordësi të palës shqiptare (fatkeqësisht), e cila më pas u shkrua tek propozimi gjithëpërfshirës i Ahtisaarit, përkatësisht tek Aneksi V mbi Trashëgiminë Fetare dhe Kulturore – ku flitet për të drejtat, privilegjet dhe imunitetet e Kishës Serbe në Kosovë, e që më parë, nuk ishte as tek Rezoluta 1244, dhe as tek Korniza Kushtetuese për Vetëqeverisje të Përkohshme – ngaqë përgjithësisht i referohej vetëm parimeve të ruajtjes së trashëgimisë kulturore, fetare e historike; dhe e dyta, Bashkësia e Komunave me shumicë Serbe (“zajednica”) që u zyrtarizua si kërkesë, gjatë bisedimeve të Brukselit me dakordësi të palës shqipëtare (fatkeqësisht), në Dokumentin e 19 Prillit 2013. Po prej kohësh tashmë, procesi i bisedimeve përmbajtësisht në tërësinë e temave të trajtuara e të mbetura hapur kanë marrë ngjyrim kompleksiteti sepse Serbia vazhdon të ketë pretendime territoriale; nuk e njeh pavarësinë dhe e minon sa herë e kudo ku mundet, pengon anëtarësimet në organizma ndërkombëtar përmes fushatave të pandërprera si dhe e pretendon trashëgiminë e krishtere Ortodokse në Kosovë, të përvetësuar veç si serbe. Nga të buzëqeshurit me buzëqeshje Kineze, në kohë ‘paqe’ e në tavolinë bisedimesh, për epilog kanë, betonizimin e Serbisë në Kosovë. 

Është detyrë e jona me i dalë Zot amanetit të t’parëve tanë Iliro-Arbnorë, kishte shkruar Papa Klement Albani. 

Po si ta ribëjmë e ruajmë kombësinë shqiptare? Duke e rrënjosur fuqinë e së vërtetës autentike shqiptare, për t’i mbajtur larg forcat e jashtme manipuluese; duke e ushqyer ndërgjegjen kombëtare shqiptare, që ndikon në nivelin e vetëdijes dhe aftësisë së veprimit politik për çdo situatë politike; duke e kultivuar fuqinë mbarë kombëtare, si forcë të brendshme tek secili pjesë e politikës për ta ruajtur hershmërinë dhe vlerat shqiptare; duke e tejkaluar çdo frikë apo kërcënim politik, si motivim për përbashkim në guxim kombëtar; duke risjellë në vëmendje tek secili domosdoshmërinë e fuqisë individuale për reagime kombëtare shqipëtare; duke e ruajtur ndershmërinë kombëtare, si një themel i fortë për të vepruar politikisht me integritet; duke marrë politikisht përgjegjësi kolektive, për rrethanat dhe realitetin e fateve tona kombëtarisht; duke vendosur qëllime të qarta politike që u paraprijnë rezultateve të dëshiruara kombëtare shqiëtare; duke mos i harruar idealet historike dhe vlerat e rezistencës politike të Rilindasve tanë; duke e kultivuar përbashkimin, e garantojmë rezistencën e fuqisë tonë politike; duke qenë të unifikuar në qëndrimet politike kombëtare shqiptare, paraqesim fuqinë dhe aftësitë politike për t’iu përgjigjur me mençuri çdo situate, si dhe duke e kuptuar fuqinë kombëtare reale, veprojmë si forcë politike rajonale e Europiane.  Pra, secila veç e veç dhe të gjitha së bashku, na ofrojnë buzëqeshje kombëtare shqiptare sepse Republika nuk është e garantuar, ajo duhet ruajtur e mbrojtur.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *