Moti i keq që ka përfshirë vendin ka shkaktuar probleme serioze në disa zona të jugut, ku reshjet e dendura kanë sjellë përmbytje dhe izolim të banorëve.

Në Çukë të Sarandës është çarë argjinatura e lumit Bistricë, duke shkaktuar përmbytjen e pesë banesave dhe qindra hektarëve tokë bujqësore. Katër barinj kanë mbetur të izoluar brenda një stalle me dele, ndërsa ekipet e emergjencës po punojnë për t’i shpëtuar.

Situatë e rënduar raportohet edhe në zonën e Shalësit, ku lumi i Pavllës ka dalë nga shtrati pranë urës në Vilë, duke izoluar gjashtë fshatra të njësisë administrative Markat.

Në qarkun e Vlorës situata paraqitet kritike. Niveli i lumit Vjosa ka arritur në 8.25 metra dhe pritet të rritet më tej për shkak të prurjeve të mëdha që vijnë nga Tepelena dhe Memaliaj. Përmbytje janë shënuar në Mifol dhe Novoselë, ku shumë sipërfaqe bujqësore janë nën ujë.

Dhjetë banesa në fshatin Fitore, pranë Urës së Mifolit, dhe shtatë të tjera në Novoselë janë përmbytur, duke detyruar evakuimin e banorëve. Në fshatrat përgjatë Vjosës – Kashisht, Çerven dhe Ferras, uji ka depërtuar në tokat bujqësore brenda argjinaturës, ndërsa niveli i prurjeve të lumit Seman vazhdon të rritet.

Autoritetet vijojnë monitorimin e situatës dhe bëjnë apel për kujdes të shtuar në zonat e prekura nga përmbytjet.

By Editor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *